Kulturë

Fondacioni Jahjaga lansoi edicionin e tretë të revistës ‘ZA’

Revista 'Za'

Fondacioni Jahjaga ka lansuar të martën edicionin e tretë të revistës ‘ZA’ në librarinë Dukagjini në Prishtinë.

Ngjarja e zhvilluar solli në vëmendje historitë e grave që kanë kaluar nëpër sfida dhe kanë arritur të dalin triumfuese pavarësisht pengesave.

Kjo revistë tashmë ka publikuar 2 edicione që fokus kishin rrëfimin e grave që kanë përjetuar dhunë në baza gjinorë, ndërsa edicioni i tretë tematikë kryesore ka gratë në sporte dhe prezanton historitë e figurave kyçe të sportit në vend.

Në lidhje me revistën Za ka folur ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se ka për qëllim që të arkivojë historitë e grave e vajzave të cilat kanë dhënë kontribut të pakursyer në shoqëri.

“Kjo revistë synon që puna e këtyre grave të mos shkojë në heshtje dhe pa u përmendur. Kjo revistë shpalos historitë e grave që kanë bërë shumë për këtë vend dhe më gjerë”, u shpreh Jahjaga.

Në anën tjëtër ambasadori Italian në Kosovë, Antonello Di Rio theksoi se kjo revistë po bën punë të jashtëzakonshme në përkrahje të agjendës për barazi gjinore në Kosovë.

Ai ka thënë së gratë e Kosovës kanë çdo herë e më shumë meritë në zhvillimin e shtetit.

“Revista ZA është treguar ekstremisht e suksesshme duke bënë në pah kontributin e grave kosovare për ndërtimin e shoqërisë. Personalisht kam qenë në Kosovë në faza të ndryshme të zhvillimit të shtetit dhe e kam parë Kosovën të zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe gratë kanë merita të posaçme për këtë”, tha Di Rio.

Në anën tjetër, Brikena Avdyli, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Jahjaga, theksoi se ZA është një projekt i punuar me shumë dashuri dhe ofron një mënyrë të re e aktivizmit feminist në Kosovë.

“Jemi mësuar që t’i paraqesim gratë si të dobëta ndërsa me ZA kemi dashur ta prezantojmë gruan si të fortë e që përballon sfida. Kjo revistë është mundësi e re që të inspirohemi nga personazhe të ndryshme. Është një platformë e mirë për t’i treguar shembujt e suksesit për persona që jo shpesh e kanë rastin të dëgjohen”, tha ajo.

Në lansimin e edicionit të tretë të ZA-së, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia, ndërmarrësja Hylë Pllana, sportistet Azbije Muqolli e Triera Kasumi dhe përkrahësi i kauzës feministe në Kosovë Besnik Leka, ndanë me të pranishmit historitë e tyre të cilat janë rrëfyer për revistën ZA.

Revistën së shpejti mund ta gjeni online në ueb faqen zyrtare të Fondacionit Jahjaga./SHQIP.com