Sport Ndërkombëtar

Finalja Argjentinë – Francë, të dhëna për stadiumin

Ndeshja finale e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës do të mbahet në Stadiumin “Lusail”. Ai është më i madhi ndër shtatë stadiumet e reja që ndërtoi Katari posaçërisht për Kampionatin Botëror të futbollit. Megjithëse nuk dihet kostoja ekzakte e këtij stadiumi, Katari ka njoftuar se shpenzimet e përgjithshme për Kupën e Botës kanë arritur në rreth 200 miliardë dollarë.

Finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës do të mbahet të dielën, më 18 dhjetor, në stadiumin “Lusail” me një kapacitet prej mbi 80 mijë vendesh.

Kjo do të jetë hera e pestë për Argjentinën që do të luajë në këtë stadium, ndërsa për Francën do të jetë hera e parë.

Në këtë stadium ndodhën disa nga më të papriturat e Kupës së Botës, si për shembull kur Arabia Saudite mundi Argjentinën 2-1. Sidoqoftë, në këtë stadium argjentinasit kanë festuar fitoret ndaj Meksikës, Holandës dhe Kroacisë gjatë rrugëtimit të tyre drejt finales.

Kur Katari bëri aplikimin për t’u bërë vendi organizator i Kupës së Botës, kishte paraqitur në vitin 2010 një plan me 12 stadiume.

Pas tre viteve të para të përgatitjeve, numri i stadiumeve u ul në tetë. Shtatë prej tyre u ndërtuan të rinj, dhe njëri u rinovua.

FIFA e pranoi këtë ndryshim të projektit fillestar, pasi futbollistëve të Katarit thjesht nuk do t’iu duheshin kaq shumë stadiume.

Nuk është e qartë kostoja e saktë e stadiumeve të Katarit. Shpenzimet totale për projektet që lidhen me përgatitjen e Kupës së Botës vlerësohet të jenë në rreth 200 miliardë dollarë.

/Shqip.com