Kulturë Kino

Filmi “Illyricvm” në garë për filmin më të mirë nacional

Filmi i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, me regji dhe skenar të Simon Bogojević Narath,  do të hyjë në garë për filmin më të mirë nacional.

Kjo u bë e ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook.

“Në festivalin më të madh të filmit të Evropës Juglindore në Sarajevë, i cili do të mbahet përgjatë datave 12-19 gusht 2022, bashkëprodhimet filmike kosovare “Illyricvm” dhe “Sirin”, do të hyjnë në garë në mesin e shumë filmave botëror”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, edicioni i 28-të i këtij festivali ka përzgjedhur “Illyricvm” në garën për filmin më të mirë nacional, ndërsa filmin “Sirin” për CineLink Work in Progress.

“Illyricvm” është film i gjatë artistik, dhe është bashkëprodhim i Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnje Hercegovinës dhe Italisë. 

Kurse “Sirin” është koproduksion mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Francës dhe Kroacisë, në të cilin luan aktorja kosovare, Majlinda Kasumovic.

Veçmas kësaj, të dy filmat kanë për bashkëproducent aktorin dhe producentin kosovar, Fatmir Spahiu.

Përveç bashkëprodhim, “Illyricvm” ka edhe një numër të madh të aktorëve nga Kosova, si:  Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj dhe Gani Morina.

Tre filma nga Kosova janë shpërblyer në edicionin e kaluar të Festivalit të Filmit në Sarajevë: “Luaneshat e Kodrës” me çmimin ‘Zemra e Sarajevës’, “Në kërkim të Venerës” me çmimin special të jurisë dhe “Pa vend” me mirënjohje speciale.