Fillon mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati kanë pritur në takim përfaqësuesit e të organizatave jo qeveritare.
Në këtë takim të zhvilluar është arritur që të nënshkruhet edhe marrëveshja e bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti Kurti ka shprehur përkushtimin e Qeverisë në krijimin e një ambienti ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe të gjithë kanë mundësi të barabarta në punësim dhe jo vetëm.
“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre. Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministri Murati ka theksuar se masa 1.6 ka një mekanizëm të veçantë zbatimi ku organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshmërisë së masës.
Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara./Shqip.com