Lajme

Filloi vendosja e stikersave për automjetet e regjistruara

Të martën në Zyrat Qendrore të Autoritetit të Regjistrimit Civil në Prishtinë ka filluar zbatimi i Memorandumit për vendosjen e ngjitësve në xhama të automjeteve të regjistruara në Kosovë. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë identifikimi i veturave të regjistruara me ato të paregjistruara.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti deklaroi se BQK-ja do të vazhdojë të mbështesë këtë projekt që ka për qëllim sigurinë në trafik.

Kurse zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi deklaroi se projekti është i rëndësishëm për vendin. “Që nga sot fillon implementimi i memorandumit që e kemi nënshkruar, kjo do të ndihmojë Kosovën për Kartonin e Gjelbër”. tha ai.

 Kurse drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku, vlerësoi se vendosja e stikersave e rrit sigurinë në trafik.

Ndryshe vendosja e ngjitësve në xhama të automjeteve synon të ul numrin e veturave të paregjistruara në Kosovë që sipas statistikave zyrtare kalon mbi 200 mijë vetura.

Me problemin e automjeteve të paregjistruara dhe pasiguruara, Kosova po ballafaqohet këto vite e që është njëri ndër kriteret që duhet plotësuar në procesin e përafrimit me Kartonin e Gjelbër. /Shqip.com