Lajme Ballkan

Filipçe: Të premten pritet kthimi i të lënduarve nga aksidenti në Bullgari

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë Veriore.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë Veriore, Venko Filipçe, ka treguar se të lënduarit në aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari ku vdiqën 45 persona, do të qëndrojnë deri të premten në spital dhe më pas do të kthehen në Shkup, përcjell Shqip.com.

Filipçe ka biseduar mëngjesin e së mërkurës me drejtorin e Spitalit Pirogov në Sofje, Ivan Poromanski, ku janë të shtrirë të lënduarit nga aksidenti, raporton Alsat M.

Lexo edhe:
Mjekët për gjendjen e pacientëve në aksidentin në Bullgari: Janë jashtë rrezikut për jetë

Kurse, paraditen e së mërkurës, mjekët e spitalit Pirigov kanë njoftuar se gjendja e pacientëve është jashtë rrezikut për jetë dhe se dy prej tyre do t’i nënshtrohen dy operacioneve.

“Janë kryer ndërhyrjet e nevojshme emergjente. Dy operacione janë kryer ditën e djeshme. Një pacient i operuar kishte një frakturë në pjesën e poshtme të këmbës. Një tjetër prej të lënduarve iu nënshtrua një operacioni për një thyerje të kyçit të gjurit. Pacientët e kaluan natën në qetësi”, sqaroi doktoresha Maya Argirova, shefe e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike.

Ndryshe, orët e para të mëngjesit të së martës, në Sofje të Bullgarisë është aksidentuar një autobus i cili u përfshi nga flakët, ku për pasojë vdiqën rreth 45 persona.

Autobusi ishte nisur nga Stambolli dhe kishte për destinacion Shkupin, ku shumica e viktimave ishin shqiptarë nga Maqedonia Veriore./SHQIP.com