Sport Shqiptar

FIFA kërkon armëpushim në Ukrainë gjatë Kupës së Botës

Presidenti i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë armëpushim njëmujor, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit.

Duke folur në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, Infantino tha se Kupa e Botës siguron një “platformë unike” për paqe dhe unitet, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth 5 miliardë njerëz në televizion.

“Kështu që lutja ime për të gjithë ju është që të mbani armëpushim për një muaj, aq sa zgjat Kupa e Botës”, ka thënë Infantino në Bali të Indonezisë.

“Ju jeni udhëheqësit botërorë. Ju e keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë”, ka deklaruar ai. Kupa e Botës nis të dielën në Katar.

/Shqip.com