Kulturë Kino

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” mbërrin në Tiranë

Fundi i nëntorit do të flasë në Tiranë me gjuhën e teatrit. Një javë parakalimi shfaqjesh të jashtëzakonshme të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu” do të zhvillohet nga data 20-27 nëntor.

Ky festival mbarëkombëtar nisi vitin e kaluar si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Vitin e kaluar, edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në Shkup, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, sipas rotacionit, do të mbahet në Prishtinë.

Publiku do të mund të ndjekë 2 shfaqje në ditë, përkatësisht në ora 19.00 dhe 21.00 në sallën e Teatrit Kombëtar dhe sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Mbrëmja e fundit ka rezervuar premierën përshëndetëse, “Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar Shkup, vepër nga Ledian Gjeçi, me regji të Ilir Bokshit.

/Shqip.com