Federici: KFOR-i luajti rol të madh në Jarinjë e Bërnjak

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, thotë se misioni të cilin e drejton ka luajtor rol të madh gjatë bllokadës në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, transmeton Shqip.com.
Derisa tregoi detaje lidhur me respektimin e marrëveshjes së arritur më 30 shtator në Bruksel, Federici tha se me të arritur kjo marrëveshje janë shtuar aktivitetet e patrullimit ne të dy rrugët, te të dyja pikat kufitare.
“Para marrëveshjes, KFOR luajti rol të rëndësishëm poashtu sepse menjëherë i shtoi aktivitetet e patrullimit në dy rrugët, tek të dyja pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak”, tha ai në “Info Magazine” të Klan Kosovës.
“Por, natyrisht KFOR ishte pjesë e marrëveshjes që tregon koordinim të mirë në mes të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe bazuar në marrëveshje, ne vendosëm prezencë të vazhdueshme afër dy pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, dhe vazhdimësinë e patrullimit të të dyja rrugëve që çojnë te dy pikat kufitare”, shtoi më tej komandanti i KFOR-it.

Federici, i cili pritet që së shpejti ta lë këtë post tha që ka krijuar miq këtu “jo vetëm brenda ushtrisë në KFOR, por edhe jashtë”.
“E dini se ne jemi ushtarë dhe profesionistë, por jemi edhe qenie njerëzore, njëkohësisht. Marrëdhëniet ndër njerëzore janë bazike edhe në jetën profesionale. Kështu që po, dhe shpresoj se këto lidhje shoqërore do të qëndrojnë edhe pasi të kthehem në Itali”, tha Federici. /Shqip.com