Sport Shqiptar

FC Prishtina reagon me rastin e vdekjes së ish-futbollistit të tyre

FC Prishtina ka reaguar në faqen zyrtare të klubit pas vdekjes së ish-futbollistit, Sokol Hadri, shkruan Shqip.com.

Klubi kryeqytetas ka shkruar se lajmin për vdekjen e Hadrit e kanë pranuar me pikëllim të thellë.

Prishtina e ka vlerësuar Hadrin si një nga futbollistët e gjeneratës së futbollistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës dekada më parë.

Postimi pa ndërhyrje i FC Prishtinës

Lamtumirë Sokol Hadri!

Me pikëllim të thellë e pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të mirënjohur, Sokol Hadri.

Ai ishte pjesë e gjeneratës së futbollistëve të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme dhe e ndihmuan futbollin e Kosovës të marrë hov të madh të zhvillimit në vitet 70-ta e 80-ta.

Karrierën e filloi në skuadrën e Lirisë, aty, ku e dha edhe kontributin e tij më të madh dhe e përmbylli karrierën në vitin 1985, teksa me plot sukses luajti edhe për ish-Buduçnostin e Pejës (Besën e tanishme) dhe për Prishtinën.

Hadri edhe pas pensionimit nuk iu nda asnjëherë futbollit, teksa për një periudhë ishte edhe kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prizrenit.

Sokol Hadri u dallua për virtyte të larta intelektuale, humane e sportive për të cilat do të kujtohet gjithmonë.

FC Prishtina i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes Hadri.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.

/Shqip.com