Sport Shqiptar

FBK: Prioritet mbetet zhvillimi dhe masivizimi i basketbollit 3×3

FIBA 3×3 Challenger Prishtina dhe FIBA 3×3 Womens’s Series do të organizohen më 14, 15 dhe 16 Korrik 2023 në Prishtinë.

Të dy këto aktivitete do të organizohen nga klubi 3×3 Prishtina në mbështetje të fuqishme të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës (MKRS) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Kjo është hera e dytë me radhë që FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të organizohet në kryeqytetin tonë, derisa do të jetë hera e parë që një garë e nivelit të lartë në konkurrencën e femrave në garat 3×3 siç është FIBA 3×3 Women’s Series të organizohet në Prishtinë, njofton FBK, shkruan Shqip.com.

Në FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të marrin pjesë 12 ekipe nga jashtë vendi dhe 4 nga Kosova (përmes Wild Card).

FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të jetë një prej 10 Challenger që organizohen në të gjithë botën.

Ndërkaq FIBA 3×3 Womens’s Series është ngjarja numër 1 në basketbollin 3×3 të femrave. Edicioni i kësaj gare fillon në muajin maj dhe përfundon në muajin shtator, me turne të organizuar në 12 qytete të ndryshme të botës.

“Për Federatën e Basketbollit të Kosovës, zhvillimi i basketbollit 3×3 në të gjitha aspektet, si në masivizim ashtu edhe në aspektin komercial është prioritet për vitin 2023 e më tutje. Federata e Basketbollit e Kosovës sivjet për herë të parë do të filloj me organizimin e garave shkollore në basketbollin 3×3, ku do të startoj me 10 shkolla në 10 komuna, në formë të pilot projektit duke i angazhuar rreth 25 mijë fëmijë qysh në vitin e parë, dhe më pas për çdo vit do të shkon duke u rritur numri i angazhimit të fëmijëve në shkolla në basketbollin 3×3”, ka thënë për faqen zyrtare të FBK-së, Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme.

Gjithashtu FBK planifikon të kandidojë në FIBA për organizimin e FIBA 3×3 U23 Nations League, por edhe të marr pjesë me ekipin e meshkujve dhe femrave U23.

“FIBA 3×3 U23 Nations League është një garë kombëtare e FIBA 3×3 për meshkuj dhe femra nën moshën 23 vjeç, që ka filluar të organizohet që nga viti 2017. “Kjo garë ofron një mundësi të mirë për talentet e të ardhmes që të përmirësojnë aftësitë e tyre në përgatitjen për kategorinë seniore dhe garat elitare siç janë FIBA 3×3 Kupa e Botës, Lojërat Olimpike etj”, ka shtuar Dushku.

Federatat Kombëtare që marrin pjesë në këtë garë duhet të regjistrojnë 1 ekip të meshkujve dhe 1 të femrave në çdo “stacion” të FIBA 3×3 U23  Nations League.

Në FIBA 3×3 U23 Nations League marrin pjesë 12 ekipe (meshkuj/femra).

FIBA 3×3 U23 Nations League 2022 përmban një rekord me pjesëmarrje të 57 Federatave Kombëtare në këtë garë.

/Shqip.com