Falsifikoi dokumente për shmangie nga tatimi i shtetit, arrestohet një person
Një person është arrestuar nën dyshimin se ka krijuar fatura fiktive lidhur me deklarimet me qëllim të shmangies së tatimit në organet kompetente, njofton Shqip.com.
Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, që përmes një deklarate për media, ka njoftuar lidhur me kontrollin e zhvilluar në tri lokacione në komunën e Graçanicës dhe atë të Lipjanit.
Gjatë këtij kontrolli thuhet se – bazuar në informacione relevante – ekzistonte dyshimi se një subjekt është i përfshirë në veprimtari penale, duke falsifikuar faturat, duke krijuar fatura fiktive lidhur me deklarimet pranë organeve kompetente me qëllim të shmangies së tatimit.
Gjatë realizimit të operacioni të bastisjes dhe kontrollit në këtë subjekt, konkretisht në banesën dhe në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë apo provat, ndër të cilat ka edhe para të gatshme që prekin shifrat rreth 60 mijë euro.
Të gjeturat e Policisë:
14 vula të kompanive të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur për falsifikim,
Një veturë e tipit Peugeot,
Një telefon Iphone,
Tre llaptopë,
Dy shtëpiza kompjuteri,
Një DVR me video inçizime,
Një Hard disk i jashtëm,
Katër foldera me dokumentacione dhe fatura të ndryshme,
Një palë pranga,
Dy kuti me produkte medicinale të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara,
58 mijë euro para të gatshme.
Të gjitha veprimet operative janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me urdhër të së cilës të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /Shqip.com