Lajme

Falet namazi i Kurban Bajramit, ftesë për vepra të mira e solidaritet

Falet namazi i Kurban Bajramit, ftesë për vepra të mira e solidaritet
Falet namazi i Kurban Bajramit, ftesë për vepra të mira e solidaritet

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste, u mbajtë në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

Myslimanët në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot po kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Ceremonia kryesore e faljes se namazit të Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Ceremonia filloi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Sami ef. Fetahu, ndërsa ligjëratën kushtuar festës së Kurban Bajramit e mbajti Hetem ef. Sopjani. Namazit të Kurban Bajramit i priu kryeimami i Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, ndërsa hytben e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Mesazhin e Kurban Bajramit i përcolli myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një dhuratë e pashtershme. Ai kërkoi vepra të mira dhe zgjatje dore për të varfëritë dhe nevojtarët, si dhe unitet në të gjitha fushat dhe në çdo vend.

“Është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe në Kurban Bajram, sepse ky është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën”, tha ai duke shtuar se këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, “duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtarët.

Tërnava, në këtë hytbe foli edhe për rëndësinë e kryerjes së haxhit si shtyllë e Islamit si dhe rëndësin e therjes së kurbanit.

“Zoti i Madhëruar i ka caktuar dy festa fetare për robërit e tij myslimanë, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Ai i ka ligjësuar ato për vendime dhe kuptime të mëdha, përfshirë këtu edhe falënderimin dhe lavdërimin e Tij. Ne festojmë Kurban Bajramin dhe jemi të lumtur, falënderojmë Zotin e Madhëruar për gjithçka që na ka dhuruar dhe gjithçka që do të na dhurojë në të ardhmen.

Myftiu Tërnava, me këtë rast, ftoi çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë, sipas tij, ia kemi borxh Kosovës tonë.

Kurse gjatë ligjëratës Hetem ef. Sopjani, tha se sot është ditë feste e gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Në këto ditë fisnike, janë ditë që bashkojnë zemrat e të gjithë besimtarëve gjithandej, ku do që janë, për të përjetuar me shpirt gëzimin e harenë dhe duke e falënderuar Allahun për begatitë dhe të mirat që na i ka dhuruar Ai. Kjo është festë që i afron rreth sofrës familjet dhe të afërmit e tyre”, tha gjatë ligjëratës Sopjani.

Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 5.34 dhe i priu kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhan ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

/Shqip.com