Lajme

Eurodeputeti holandez: Një hap më afër për vizat e Kosovës

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten i cili është raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Një hap më afër! Për udhëtimin e shumëpritur pa viza për Kosovën”, shkroi Reuten.

Ndërsa, Reuten bëri ripostim edhe një post të shtypit të Komitetit LIBE

Marrëveshja triloge mbi liberalizimin e vizave me Kosovën u miratua nga deputetët e Parlamentit Evropian  me 48 pro, 7 kundër dhe 3 abstenime”, thuhet në postin e LIBE.

Tutje, thuhet se më pas, plenarja e PE do të votojë mbi çështjen.

Lexo edhe:
Votohet pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Pas shumë ngecjesh në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, tetori i vitit që lamë pas dha një kthesë për këtë proces.

Më 12 të atij muaji, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Në takimin e parë të Grupit Punues për vizat e Kosovës që u mbajt më 13 tetor, Franca kushtëzoi këtë proces.

Parisi zyrtar kërkoi që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për vizat e Kosovës të bëhet me kushtëzimin e që të hyhet në fuqi Sistemi ETIAS.

Siç kanë raportuar mediat, ka pasur raporte se ky sistem është mbështetur nga së paku katër vende të Evropës, siç janë: Suedia, Belgjika, Holanda, Spanja.

Sistemi digjital ETIAS, i cili tani është kusht i ri për Kosovën në procesin e regjimit të vizave, ka për qëllim evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë Bashkimit Evropian, në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

30 nëntori shënon ditën kur ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, janë pajtuar që t’ia japin mandatin Këshillit të BE-së për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit, do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Në rast se ky sistem nuk hyn në fuqi, atëherë data e fundit e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë më së largu më 1 janar 2024.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë se në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është bërë përparim.

Ndërsa, së fundi ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, miratuan kompromisin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, deri në miratimin përfundimtar deri në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com