Escobar: S’do të ketë luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë

Zëvendësndihmës sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisëm Gabriel Escobar, para se të zhvillojë vizitën e tij në Bosnje dhe Hercegovinë, ka thënë se dëshiron t’u dërgojë mesazh qytetarëve të këtij vendi se nuk do të ketë luftë, transmeton Shqip.com.
Ai më tej thotë se për këtë gjë, të gjitha vendet e rajonit janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon.
“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, ka thënë Escobar për REL.
Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe.

Dodik, po ashtu, ka thënë serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe.
Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.
“Sa i takon dobësimit të institucioneve qendrore, do të jem shumë i sinqertë, arsyeja për këtë është në të vërtetë korrupsioni. Ajo që po bën Millorad Dodik është se ai po përpiqet të gjejë rrugë për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e tij”, ka thënë Escobar.
Ai do të qëndrojë në Bosnjë e Hercegovinë për vizitë më 7 nëntor. /Shqip.com