Lajme

Erzen Breçani paraqitet në SPAK, do njihet me akuzën

Një javë më pasi iu ndryshua masa e sigurisë nga arrest në burg në arrest në shtëpi, ish-zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani është paraqitur sot në SPAK ku do t’i komunikohet akuza.

Me ndryshimin e masës së sigurisë Breçani ndodhet në “arrest shtëpie” ndërsa ai kishte kërkuar disa herë zbutjen e masës së sigurisë pasi pretendonte se kishte probleme me zemrën si dhe vuante nga klaustrofobia.

Ish-zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës u vendos në pranga në muajin nëntor të vitit 2023 me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit së bashku me ish-shefin e komisariatit numër 6 në Tiranë Dedan Gjoni dhe të akuzuarit Besmir Murati e Bujar Ajetin apo Gërmizi.

Ndërkaq vijon të jetë në kërkim djali i Breçanit, Eralbi Breçani dhe biznesmeni Ervin Mata, të cilët akuzohen nga SPAK për trafik narkotikësh, grup kriminal dhe pastrim parash.

SPAK ra në në gjurmët e tyre pas marrjes së të dhënave prej aplikacionit SKY ECC, në të cilin sipas prokurorisë u gjetën biseda komprometuese ndaj tyre.

/Shqip.com