Ermal Krasniqi shpallet “Ylli i Javës” për herë të tretë

Federata e Futbollit e Kosovës ndau edhe këtë javë çmimin për lojtarin më të mirë të xhiros në Superligë.
“YLLI I JAVËS” për xhiron e 31-të është shpallur futbollisti i FC Ballkanti, Ermal Krasniqi.
Për 24-vjeçarin e portokallezinjve nga Suhareka, kjo është hera e tretë brenda këtij edicioni që e fiton këtë çmim, por hera e parë në stinorin pranveror.
Ai ishte shpallur më i miri edhe në xhiron e 2-të dhe në xhiron e 11-të.
Krasniqi pati një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen e të enjtes në fitoren kundër Dritës, me rezultat 3:2.
Ai ishte kreator i golit të parë si dhe realizator i golit të tretë, në minutat shtesë, duke qenë përcaktues në arkëtimin e tre pikëve të reja, të cilat e kanë afruar Ballkanin te titulli i parë i kampionit.
“Portokallinjtë” kanë 69 pikë në tabelë, 14 sosh më shumë se Drita dhe Gjilani që mbajnë respektivisht pozitat dy dhe tre. /Shqip.com