Erdoan Vitaku, gjyqtari që “pushtoi” arenën ndërkombëtare

Mbi supe ka peshë të madhe. Një vendim i tij i gabuar, mund ta lë epilogun e takimit në plan të dytë.
Erdoan Vitaku është gjyqtari nga Kosova që e ndan drejtësinë në arenën ndërkombëtare të hendbollit qysh nga viti 2009.
Rrugëtimi i tij nuk ishte i lehtë, por nuk u ndal deri sa e arriti zenitin në Ligën e Kampionëve.

Për Shqip.com ai ka rrëfyer se një nga pengesat kryesore është dallimi me gjyqtarët evropianë.
“Vështirësi ka shumë! Ne kemi konkurrencë nga mbarë Evropa, nga ligat më të forta si Gjermania, Franca, Danimarka, Spanja, të cilat kanë një përparësi, pasi që në ligat e veta kanë më shumë ndeshje kualitative”.
140 ndeshje të referuar, por një përballje është më e veçan se të tjerat.
“Kemi pasur mjaftë ndeshje të mira, por ndoshta do ta veçoja ndeshjen e 1/2 finales në Kupën e EHF-së në Rumani. Palestra kishte 5000 ulëse dhe ishte e stërmbushur me shikues. Ndeshja përfundoi me barazim. Pas ndeshjes pranuam komplimente nga kolegët gjyqtar ndërkombëtar dhe vendor te cilët e kishin shikuar ndeshjen”.
Sipas Vitakut, niveli i gjyqtarëve në Kosovë është më i lartë se niveli i skuadrave.
“Kosova ka katër qifte evropiane çka tregon se cilësia e gjyqtareve të hendbollit është shumë e mirë. Nëse nuk do te hidhëroheshin trajnerët e hendbollit në Kosovë, mund të them lirishtë se gjyqtarët janë në nivel shumë më të lartë se ekipet”, ka thënë ai për Shqip.com.
Vitaku në arenën ndërkombëtare përveç që ka referuar në nivel të klubeve, ai ka udhëhequr edhe ndeshje të kombëtarëve.

Së fundmi Erdoan Vitaku së bashku me Arsim Vitakun kanë deleguar ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e zhvilluar në Lubjanë ndërmjet Krim Mercator Lubjana dhe Kastamonu Belediyesi GSK, u fitua nga skuadra vendase./Shqip.com
