Lajme

Enver Hoxhaj i shqetësuar që qeveria Gjermane s’e përmend njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

“Në marrëveshjen e koalicionit gjerman nuk përmendet njohja e ndërsjellë, gjë që është një shqetësim serioz për Kosovën! Për më tepër, nuk thuhet asgjë për marrëveshjen obligative ligjore që duhet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Këtë shqetësim e ka ngritur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj pas leximit të programit të qeverisë së re gjermane, shkruan Shqip.com.

Hoxhaj tha se partitë në koalicion, Socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët e FDP, në programin qeverisës kanë të cekur se Gjermania kërkon heqjen e vizave për kosovarët dhe “përkrah dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Mirëpo në marrëveshjen e koalicionit nuk përmendet njohja e ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e re gjermane

Hoxhaj thotë se nuk përmendet as marrëveshja obligative ligjore që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se ky ishte qëndrim i cili ishte propozim gjerman në nivel evropian.

“Por, mungon edhe diçka shumë e rëndësishme për Kosovën; e ardhmja e saj dhe e Ballkanit. Në marrëveshjen e koalicionit gjerman nuk përmendet njohja e ndërsjellë, gjë që është një shqetësim serioz për Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin shoqëror, Facebook.

“Për më tepër, nuk thuhet asgjë për marrëveshjen obligative ligjore që duhet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila fillimisht ishte propozim gjerman në nivel evropian! Ishte Angela Merkel, e cila në vitin 2011 paraqiti tri kushte gjermane gjatë një takimi me Boris Tadiqin në Beograd! Ishte një delegacion i CDU-së nën udhëheqjen e Andreas Schockenhoffen, që paraqiti 12 kushtet gjermane për Serbinë në rrugën e integrimit evropian të saj”.

“Ky, është shqetësimi i madh dhe i vetëm që unë kam për qasjen e qeverisë së re në raport me dialogun! Në politikë të jashtme më me rëndësi është ajo çka nuk thuhet, sesa ajo çka thuhet!”, përfundon Hoxhaj.

Socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP kanë formuar qeverinë e Gjermanisë.

Kandidati i partisë socialdemokrate gjermane, Olaf Scholz, pritet ta zëvendësojë Angela Merkel/Shqip.com