Ekonomi

Ëndrra e Edi Ramës, 10 mln turistë deri në fund të 2023!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një takim me sipërmarrjen se Shqipëria synon të kapë shifrën e 10 milionë turistëve deri në fund të vitit. “Shifra zyrtare që e mora sot në mëngjes. 1.1 milion turistë në shtator dhe nëse dhjetori do të jetë në këtë trend, ne mund të kapim 10 milion turistë këtë vit, po me siguri do të kalojmë 9, varet nga dhjetori, si do të jetë dhjetori”, tha Rama.

Por cilët janë turistët që e kanë vizituar më shumë Shqipërinë deri tani?

Pas qytetarëve të Kosovës, italianët janë kthyer në grupin e dytë të turistëve që vizituan më shumë Shqipërinë këtë vit duke regjistruar një numër prej rreth 660 mijë vizitorë deri në fund të gushtit.

Në raport me një vit më parë italianet u rritën me 50 për qind në janar-gusht duke përbërë kështu 9.1 për qind të totalit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Turizmit, tregojnë se fqinjët kanë mposhtur çdo grup tjetër përveç Kosovës e cila vijon të jetë në krye të vizitorëve që vijnë në vendin tonë.

Shqiptarët e Kosovës kanë numëronin 40 për qind të totalit të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë në gusht me një shifër prej 2.93 milionë ndërkohë që në raport me një vit më parë kemi një rritje me 17 për qind.

Ndërkohë grupet që historikisht kanë ardhur pas shqiptarëve të Kosovës siç ishin Greqia apo Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që përbëhet nga emigrantët apo shqiptarët e trevave vijnë pas italianëve.

Konkretisht 511 mijë vizitorë erdhën nga Maqedonia e Veriut deri në gusht me një rritje 8 për qind në raport me një vit më parë. Kurse nga Greqia rrija në 8 mujorin 2023 është me 39 për qind.

Të paktën 450 mijë shtetas hynë nga shteti helen. Grupe që kanë shënuar rritje të dukshme janë gjermanët, spanjollët por edhe nga Turqia.
Ndërkohë polakët që janë grupi më i madh i turizmit të organizuar është rritur në 8 muaj me 27 për qind në raport me një vit më parë.

Gjatë takimit me sipërmarrjen, Rama u ndal edhe te hotelet. Kryeministri Rama deklaroi se shifra e turistëve nuk korrespondon me të ardhurat që deklarojnë hotelet. Ai deklaroi se vitin e ardhshëm do të ketë referencë.

“Tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen. Unë personalisht kam pasur dy raste këtë verë, dy miq që më kanë kërkuar ndihmë pasi nuk gjeni dhomë të lirë në gjithë bregdetin, ndërkohë hotelet deklarojnë 60-70% të okupuar. Edhe hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do ketë referencë. Të gjitha do kenë një çmim reference. Ne kemi 1.1 milionë turistë në Shtator, shifra zyrtare, nëse dhjetori do jetë në këtë trend ne mund të kapim 10 milionë turistë këtë vit. Po, me siguri do kalojmë 9 milionë, varet nga dhjetori. Si ta shpjegojmë ne, përtej Airbnb, e cila është një hapësirë e pakontrolluar, për të cilën duhet të krijojmë një marrëveshje me qeverinë, pasi nuk i tregon të dhënat.

Si ta shpjegojmë ne që kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat nga hotelet nuk korrespondojnë”, deklaroi Rama.

/Shqip.com