EMRI/ Shiti disa herë të njëjtat apartamente, arrestohet administratori i firmës
Administratori i një firme ndërtimi në Tiranë është arrestuar nga policia e kryeqytetit pasi ka shitur disa herë të njëjtat apartamente.
Në pranga ka rënë shtetasi Sabri Shera, i cili akuzohet se ka përpiluar 2 ose më shumë kontrata shitje për të njëjtat apartamente.
Nëpërmjet kësaj veprimtarie kriminale, ky shtetas ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, në 8 raste të ndryshme.
Akuzat
Sabri Shera është administrator i kompanisë “AA Construction shpk”. Kallëzimi është bërë nga qytetarë që kanë blerë apartamente në pallatin e ndërtuar nga kompania e tij në “Rrugën e Barrikadave” në Tiranë. Fillimisht u ka premtuar kontrata sipërmarrje dhe u ka marrë shuma të mëdha parash për blerjen e apartamenteve përmes akteve noteriale. Të njëjtat apartamente ai i ka shitur sërish tek të tjerë, në disa raste edhe në persona të tretë.
Shera, nuk është hera e parë që bie në pranga, për të njëjtat akuza është arrestuar edhe në vitin 2019.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas kallëzimeve nga disa shtetas se ishin mashtruar nga administratori i një firme ndërtimi, për blerjen e apartamenteve, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Kontrata false”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e autorit, përpara përgjëgjësisë penale.
Si rezulat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi S. Sh., banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas, me detyrë administrator i një firme ndërtimi, iu ka shitur shtetasve të ndryshëm, të njëjtat apartamente të një pallati të ndërtuar nga kjo firmë.
Në cilësinë e administratorit të firmës, shtetasi S. Sh. ka përpiluar 2 ose më shumë kontrata shitjeje për të njëjtat apartamente. Nëpërmjet kësaj veprimtarie kriminale, ky shtetas ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, në 8 raste të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda dhe “Fshehja e të ardhurave”.
/Shqip.com