Lajme

Elez Blakaj: KPK është institucion që nuk ka kredibilitet, do të ketë keqpërdorime në zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit

Ish-prokurori special, Elez Blakaj

Ish-prokurori, Elez Blakaj, ka deklaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion që nuk ka kredibilitet dhe ka paralajmëruar parregullsi edhe në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Ai ka përmendur raste të kaluara se si vitet e fundit “kanë bredhur” nëpër zyre persona të njëjtë, duke favorizuar njëri-tjetrin.

Blakaj ka thënë se KPK përdoret nga disa persona për “ruajtje të monopolit dhe pushtetit për njërit tjetrin” dhe se të njëjtit i trajtojnë këto institucione si prona private.

“Kur interesat e një grupi e sfidojnë interesin publik! Edhe në proceset e privatizimeve në Kosovë të udhëhequara nën drejtimin e AKM-së kemi parë procese të cilat formalishtë janë mbuluar me letra, madje as aty, nuk është arritur në çdo rast të dalin fitues shantazhuesit, kërrcënuesit dhe dhunuesit, pavarsishtë strategjive të përdorura, ndërsa Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk po ua huq asnjëherë! Të gjithë kemi parë këto vitet e fundit se si të njëjtit persona kanë bredhur në vazhdimësi nga një zyre tek tjera, duke e ndihmuar dhe favorizuar njëri tjetrin në pozita të ndryshme nga Këshilli Prokurorial për në zyrën e Kryeprokurorit të  Shtetit dhe poashtu në pozita tjera në cilësi të kryeprokuroreve dhe anasjelltas, me qëllim të ruajtjës se monopolit dhe pushtetit për njëri tjetrin, duke i trajtuar këto institucione si të ishin pronë private! E fotografi të njëjtë presim të shofim edhe tani me rastin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit të Shtetit!!!”, ka shkruar Blakaj në Facebook.

Më tej ka shtuar se qasja e KPK-së ka treguar mungesën e integritetit të këtij institucioni duke shtuar se për këtë çështje kanë reaguar edhe partnerë ndërkombëtarë.

“Qasja e Këshillit Prokurorial, sjelljet dhe veprimet e tyre, skandalet e shumta, vendimet e kundërligjshme, konflikti i interesit, transferet dhe avancimet me standarde të dyfishta, qartë kanë shpërfaqur fotografinë e vërtetë dhe mungesën e integritetit të këtij institucioni. Madje, për disa nga problemet brenda këtij institucioni kanë reaguar edhe raporte e opinione ndërkombëtare, si dhe partner e miq të cilët e kanë ndihmuar në vazhdimësi Këshillin Prokurorial! Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë me interes të lartë publik, andaj edhe detyrat dhe përgjegjësit qe ka Kryeprokurori janë drejtpërdrejtë të ndërlidhuara dhe në shërbim të publikut, e jo të grupit të njejtë të përsonave të cilët po përgaditen ta zyrtarizojnë emrin e personit i cili është pjesë e këtij grupi!”, shkruan Blakaj.

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e fundit të mbajtur të mërkurën më 12.01.2022 ka marrë vendim për shpalljen  e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i skadon mandati në prill të këtij viti. Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur për 15 ditë, duke filluar nga data 17 janar.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).  Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe./Shqip.com