Lajme

Ekzekutimi gjakftohtë i 39-vjeçarit shqiptar trondit gjithë Greqinë

Paraditen e djeshme (15 shtator), në qytetin e Pireut në Greqi u ekzekutua një 39-vjeçar shqiptar me plumb në kokë. Ajo që bie në sy në fakt është dyzimi i vrasësit 68-vjeçar, Dhimitris Kutrumanis i cili në polici ka shprehur se nuk ka dashur të përfundonte kështu. Sidoqoftë ditën e djeshme mediat raportuan se ky i fundit jo vetëm që ishte koshient për krimin e kryer dhe ishte larguar qetësisht, por madje u shpreh se kishte ‘mbaruar punë’.

Media greke Protothema, shkruan se vrasësi është penduar për krimin e kryer.

“Kishim vite fërkime. Ata po bllokonin rrugët. E kisha shprehur indinjatën time shumë herë. Nuk doja që të përfundonte kështu”, ka thënë në polici autori i vrasjes së shqiptarit Brigen Limka me origjinë nga Korça.

Brigen Limka, babai i tre fëmijëve u ekzekutua për 9 sekonda nga 68-vjeçari grek, pas një konflikti për parkingun ku punonte shqiptari.

Shqiptari, babai i tre fëmijëve është dërguar me shpejtësi në spital, por nuk mundi që të mbijetonte si pasojë e plagëve të rënda që mori. Ndërsa autori, i cili u arratis menjëherë nga vendngjarja u kap pak më vonë nga policia greke. Autori pritet të sillet sot në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Pire.

/Shqip.com