Kulturë

“Ekuilibri letrar”, libri më i ri i Nysret Krasniqit

“Ekuilibri letrar”, libri më i ri i Nysret Krasniqit
“Ekuilibri letrar”, libri më i ri i Nysret Krasniqit

Libri më i ri i akademik Nysret Krasniqit “Ekuilibri letrar”, bërthamë të studimit e ka “mbrojtjen” e ligjësive specifike të letërsisë.

Etikë e intencë e tij është konceptualiteti estetik i artit letrar si fenomen primordial i qenies për ta ruajtur dhembjen shpirtërore. Dhembjet shpirtërore marrin forma individuale me trashëgimi arketipore në vepra letrare, për t’u shndërruar në kujtesë e rikujtesë universale. Kujtesa dhe rikujtesa, kur jetësohen në vepra artistike e ruajnë misterin e vetërregullimit dhe të shndërrimit të tyre në simbol, figurë apo në kratilizëm.

Në këtë libër diskutohet prania e fenomenit të ndërhyrjes pikërisht në natyrën vetërregulluese dhe evolutive të shprehjes letrare si kujtesë, e cila botën letrare e ka shtyrë drejt konfliktit me arbitraritetin e filozofemave të autoritetit.

Akademik, Nysret Krasniqi

Gjithashtu, në këtë libër argumentohet se si konceptet filozofike shpeshherë janë shndërruar në forma dhe doktrina autoritare, madje janë kthyer në ideologema dhe aparate politike, të cilat e kanë prerë evolucionin autonom letrar me synimin e kthimit të artit letrar në mjet pragmatik-propagandues si politikë që aspiron të renë progresiste.

Si rrjedhojë, argumentohet se insistimi në të renë progresiste, i mbrujtur me konceptet filozofike të dyshimit, shpeshherë e ka mohuar vetëdijen për gnosisin letrar dhe ka ndikuar në çekuilibrime të ligjësive specifike letrare. Për pasojë, misteri primordial i artit për ta ruajtur kujtesën është shndërruar në mjet për ta mbjellë harresën.

Libri propozon ruajtjen e ekuilibrit letrar dhe këtë intencë e dëshmon nëpërmjet analizës fenomenologjike të letërsisë dhe të kulturës shqipe, por edhe me diskutime filozofike-teorike si spektër i ndikimit.

Libri “Ekuilibri letrar”, është botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

/Shqip.com