Ekspozita “Petalet e panumërta” bashkon artin, politikën dhe mjedisin
Nga veprat e panjohura të Lume Blloshmit te imazhet bashkëkohore të Ryts Monet. Të enjten në mbrëmje është çelur në galerinë “Zeta” ekspozita “Petalet e panumërueshme”.
Kuratorët Markus Waitschacher dhe Endri Dani kanë përzgjedhur 11 artistë, 6 shqiptarë dhe 5 austriakë përmes konceptit të luleve si gjenezë e natyrës.
Vepra të panjohura që shfaqin lule nga Lume Blloshmi, punë të Agron Dines, Fatlum Doçit, Remijon Pronjës, Abi Shehut shfaqen përkrah artistëve austriakë, duke bashkuar breza, qasje e mediume artistike që përmes imazheve dhe koncepteve kërkojnë të rrisin ndërgjegjësimin për natyrën, duke e përjetësuar në vepra.
“Kjo ekspozitë i kushtohet luleve. Fatmirësisht jemi ende të rrethuar prej tyre edhe pse ndonjëherë, lulet duhet të udhëtojnë gjysmën e planetit tonë për të qenë me ne, duke u pjalmuar nga pajisjet elektronike dhe duke vuajtur shumë nga sjellja jonë. Një prej veprave tregon anët e ndryshme të luleve dhe parave. Kartëmonedhat janë të fshehura, sa duket vetëm dekorimi me lule. Të përdorura dhe të keqpërdorura nga pushtetet politike – në anën e pasme të tyre shohim ndër të tjera presidentë, ministra por edhe diktatorë, kolonizatorë dhe simbole politike, të ndërthurura”, tha Kuratori Markus Waitschacher.
Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin edhe ministrja austriake e Integrimit Karoline Edlstadler dhe ministri Austriak i Ekonomisë Martin Koher. Në fjalën e tyre ata folën për artin si urë bashkuese mes vendeve dhe pohuan mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.
“Është një ekspozite që tregon kontradiktën mes natyrës dhe të ardhmes. tregon se ne duhet të krijojmë ura mes Austrisë dhe Shqipërisë, mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Detyra jonë ketë here është të mbështesim, Malin e Zi e Shqipërinë, në rrugën e tyre drejt BE, që të bëhen anëtarë të plotë. Ne flasim për ekonominë, paqen e sigurinë, por nuk duhet të harrojmë që mënyra e vetme për të krijuar ura, është arti e kultura. BE nuk është plotë pa Ballkanin Perëndimor”, tha ministrja Edlstadler.
Ekspozita me vizatime, piktura, skulptura dhe video çelet në kuadër të nismës austriake “të imagjinosh dinjitetin” e cila synon përmes artit të ndryshojë perceptimet, qasjet kundrejt natyrës, ambientit dhe ekosistemit.
/Shqip.com