Lajme Si ia futi kot qeveria?

Ekspertët thonë se “më shumë shpenzon rrymë një aparat kafeje, sesa kompjuterët që prodhojnë kriptovaluta”

Qeveria e Kosovës ndalojë prodhimin e kriptovalutave për të kursyer rrymë. Në vendim u tha se këto pajisje shpenzojnë shumë. Por, ekspertët e kanë përqeshur vendimin e qeverisë, sidomos argumentimin. Për Shqip.com, Ejup Qerimi, thotë se shepenzimin e kanë më të vogël se një aparat kafeje.
Ilustrim.

“Në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike. Një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës të energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend”.

Kështu e ka arsyetuar për Gazetën Shqip.com, Ministria e Ekonomisë vendimin e marrë më 4 janar për ndalimin e prodhimit të parasë digjitale, si shkak i rekomandimit nga Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, i cili është themeluar në fund të vitit të kaluar.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovaluteje duke marrë parasysh shifra konservative konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por. nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), thonë se nuk posedojnë shifra se sa mund të jetë konsumi i energjisë elektrike nga prodhimi i kriptovalutave. 

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, ka deklaruar për Gazetën Shqip.com se “për shkak të kompleksitetit të veprimtarisë dhe mënyrës së operimit të rrjetit dhe funksionimit të pajisjeve që kryqen në rrymë, e kemi të pamundur një kalkulim të tillë”.

Të njëjtit, nuk kanë të dhëna as për konsumin e energjisë në Mitrovicën e Veriut, vend në të cilin shumë herë është raportuar se ka “ferma” të minning (procesi i prodhimit të kriptovalutave).

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala

“Sa i përket veriut të vendit, ne atje nuk kemi qasje as nuk i furnizojmë me energji elektrike”, ka deklaruar Buzhala për Shqip.com.

Përveç arsyetimit nga Ministria e Ekonomisë se ushtrimi i kësaj veprimtarie ndikon në konsumim të madh të energjisë elektrike, nga kjo ministri vlerësojnë se nga ushtrimi i kësaj veprimtarie nuk ka punësim të fuqisë punëtore “si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj”.

E nga Administrata Tatimore e Kosovës më 3 dhjetor të vitit të kaluar kishin lëshuar një njoftim ku kërkonin që qytetarët e Kosovës të cilët gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, duhet t’i deklarojnë dhe të paguajnë tatim për to.

“Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Asministrata Tatimore e Kosovës

Ani pse ka kaluar një muaj që kur është bërë kjo thirrje, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka deklaruar se ende nuk kanë të dhëna rreth aktivitetit me kriptovaluta.

“Ne (ATK) ende nuk kemi të dhëna të deshifruara lidhur me aktivitetet me kriptovaluta!”, thuhet në përgjigjen e Murtezajt.

Por, vendimin e ME-së, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutës, njohësi i teknologjisë së kriptovalutave, Ejup Qerimi përveç se e sheh si të gabueshëm, ai thotë se është marrë edhe nga mos informimi i duhur i Qeverisë së Kosovës rreth funksionimit të kësaj veprimtarie.

“Ky vendim për ndalimin e mining, është në kundërshtim me vetë politikat e qeverisë me promovimin e ekonomisë digjitale, promovimin e eksportit. Këtë vendim, mendoj se kryesisht e kanë bërë për shkak të mosdijes sepse nuk e dinë procesin, nuk e dinë se çka bëjnë ato makina….kanë dëgjuar se harxhojnë energji elektrike”, ka thënë Qerimi për Shqip-in.

Por, sipas Qerimit, të mendosh se teknologjia e prodhimit të parasë digjitale është shpenzim i madh, është mosnjohje e thellë e këtij procesi dhe në esencë një gabim.

Njohës i teknologjisë së kriptovalutave, Ejup Qerimi

Qerimi, thotë se pajisjet që përdoren për mihjen e kriptovalutave, nuk kanë shpenzime të mëdha të energjisë elektrike, teksa krahasimin e bëri me aparatin e kafesë për të cilin tha se “shpenzon më shumë sesa një konfiguracion standard i kompjuterëve që përdoren për mining”.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pika kulminante e interesimit për blerje të pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave ka qenë në vitin 2017 dhe 2018.

Gjatë këtyre dy viteve janë importuar pajisje ANTMINER në vlerë prej 2 milionë e 814 mijë e 71 euro, ndërkaq 583 mijë e 280 euro e 80 cent janë importuar kartela grafike.

Dogana e Kosovës

Për këtë çështje, në gusht të vitit 2021, Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri dhe Tregti, pati filluar procedurat për “Projektligjin për kriptovaluta”.

E nga ministria kanë deklaruar se me finalizimin e draftit të parë të këtij projektligji, do t’i mirëpresin rekomandimet dhe komentet e ekspertëve.

“Posa drafti i parë të finalizohet, të gjithë do ta kenë derën hapur për të adresuar rekomandimet e tyre dhe të japin komente rreth Projektligjit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ministria e Ekonomisë.

Çfarë janë kriptovalutat?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”.

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet./Shqip.com