Kulturë

Edith Durham, studiuesja që la gjurmë të pashlyeshme tek shqiptarët

Edith Durham, studiuesja që la gjurmë të pashlyeshme tek shqiptarët
Edith Durham, studiuesja që la gjurmë të pashlyeshme tek shqiptarët

Një diskutim kulturor për ‘Mbretëreshën e Maleve Shqiptare’, Edith Durham, është mbajtur sot në Fakultetin e Filologjisë, në kuadër të javës së Frankofonisë.

Përpos që konsiderohet një mike e madhe e shqiptarëve Edith Durham, ndër të tjera ishte edhe artiste, udhëtare, etnologe, antropologe, humaniste, lobiste, e mbi të gjitha ‘zonja e parë angleze’ e cila ka udhëtuar në bjeshkët e maleve shqiptare në fillim të shekullit XX.

Përmes këtyre udhëtimeve ajo ka eksploruar si askush më parë, shqiptarët me kulturën, zakonet dhe të gjitha elementet të cilat e përbëjnë popullin shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme te populli shqiptar, emrin e së cilës e shohim të skalitur në emrin e ndonjë rruge, shkolle apo institucioni.

Interes për punën dhe kontributin e saj te shqiptarët dhe kultura e tyre në përgjithësi, ka ngjallur edhe tek studiuesit e huaj, dy prej  të cilëve ishin pjesë Diskutimit Kulturor. Jacqueline Derens, e cila ka përkthyer 100 vjet pas veprën e Durham nga Gjuha Angleze në Gjuhën Frënge dhe Elizabeth Goëing, e cila ka shkruar një libër ku përmes rrugëtimit të Edith Durham, mundohet ta gjej rrugën e saj, udhëtimin që ajo ka bërë në Kosovë e Shqipëri, edhe të tregoj diçka më personale rreth njohjes dhe dashurisë që ka për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Sot në sallën Idriz Ajeti, ku po mbahej diskutimi kulturor, fjalimin hyrës e mbajti Nerimane Kmberi, profesoreshë e Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës,  e cila i falënderoi mysafirët për praninë e tyre, në gjuhën shqipe, dhe për t’i nderuar disa mysafirë që flisnin gjuhën frënge, fjalimin kryesor e zhvilloi në gjuhën frënge.

Një diskutim kulturor për ‘Mbretëreshën e Maleve Shqiptare’, Edith Durham

Më vonë fjalën ia kaloi përkthyeses Franceze, Jacqueline Derens, e cila foli për veprën e Edith Durham, ku ndër të tjera tha se ajo dhe puna e saj  ishte frymëzim për të.

Pas saj radha kaloi te Elizabeth Gowing, një studiuese, e cila po shkon rrugëve të Durahm, veçse kjo studiuese me lokacion vetëm në Kosovë, për të studiuar shqiptarët e Kosovës dhe karakteristikat themelore të tyre

Teksa Gowing fliste me admirim për Durham, ajo tha se ekzistojnë pesë karakteristika të personalitetit të Durham, të cilat e bënë atë një figurë të pa harruar dhe se që të gjithë do të duhej të frymëzoheshin prej secilës prej tyre.

Elementi i parë sipas saj që e bën Durham atë për çfarë ishte, ka qenë se ajo ishte një artiste, gjë  e cila i ka shërbyer në të gjitha punët tjera. ‘Unë e vlerësoj shumë syrin e artistes, edhe e kuptoj që edhe pa pasur aftësinë për të pikturuar fare, unë kam mundësinë për tu përqendruar në detaje siç bëjnë artistët. Edhe kjo ndoshta është arsyeja se përse shkrimet e mia janë të mira, por gjithashtu e mirë është edhe jeta. Sepse me këtë filozofi për tu përqendruar në detaje të vogla dhe me i shiju ato detaje, qoftë diçka që e sheh, nuhatet. Këto detaje Edith si duket i ka zhvilluar shumë mirë edhe kjo ka qenë përgatitja e saj profesionale para se ajo të filloj të punojë edhe punë të tjera’, ka thënë Gowing.

Autore, ishte cilësia tjetër e Durham, e cila e mahnit studiuesen Gowing.Pasi ajo ka qëndruar në Londër, dhe kishte bërë shfaqje e ekspozita në Royal Akademi në Angli, ajo ka filluar të udhëtojë. Dhe përgjatë udhëtime ajo ka filluar të shkruaj, ku ndër të tjera ka shkruar letra, ditare, dhe shënime për eventet dhe përjetimet e saj. Këto veti autorja Gowing thotë se e kanë frymëzuar por se përkundër faktit se i ka të botuara gjashtë libra ajo nuk ka arritur ta përshkruaj Kosovën në nivelin siç ka bërë Durham për Shqipërinë.

Antropologe, është elementi tjetër që ka qenë pjesë e figurës së Durham, fushë të cilën  e ka integruar pas udhëtimeve ku ‘ajo me syrin e artistes edhe me kuriozitetin e saj ajo ka filluar të grumbullojë detaje që më vonë bëhen pjesë e shkencës dhe antropologjisë. Edhe pse antropologjia nuk ka qenë fusha e Edith Durahm sipas përgatitjes profesionale, ajo u bë prej përvojës, prej pyetjeve, mënyrës se si ajo e ka pyetur veten për disa ngjarje të ndryshme, shkrimi i saj në mënyrë objektive ishin aftësi të saj të cilat e bënë si ekspert në Ballkan në shkencën e antropologjisë. Dhe ajo në fund të fundit është pranuar në Royal Antropologjikëll në Londër’ ka vazhduar studiuesja.

Një diskutim kulturor për ‘Mbretëreshën e Maleve Shqiptare’, Edith Durham

Humanizmi të cilin ajo e ka treguar në rastin e shqiptarëve dhe disa popujve të Ballkanit  gjatë luftërave të ndryshme, është elementi kryesor që sipas Gowing figura e saj është e pa harrueshme për shqiptarët. Durham gjatë asaj kohe vetë duke kalëruar ka shpërndarë grurë, ka siguruar tavane për shtëpitë që janë djegur gjatë luftës, si dhe medikamente. Gowing më tutje potencoi se mund të gjendeshin në sallë pasardhësit e atyre të cilëve u është shpëtuar jeta para 100  vitesh nga Edith Durham.

Dhe elementi i pestë  prej të cilit do të duhej të frymëzoheshin shqiptarët ka të bëj kombinimin e të gjithë elementeve të cilat u përmendën më lartë. ’Janë të kombinuara të gjitha këto sepse Edith është udhëtare, tamam duhesh me qenë pak një përzierje e këtyre, duhesh me qenë pak një artist me atë sy, një shkrimtare që ruan shënimet, kureshtare objektive për njerz me të cilët takohesh, por gjithashtu edhe humanitare që të ofrosh ndihmë, si një obligim kur takohesh me një person’, ka vazhduar studiuesja më tej, shkruan Kult Plus.

Ndërsa profesoresha Nerimane Kamberi, në një prononcim për KultPlus, ka thënë se Durham është një grua e jashtëzakonshme, shumë moderne për kohën  e saj e cila duhet të shërbejë si model për kureshtje dhe guxim për të studiuar kulturën. ‘Ajo ishte shumë e paanshme. Nuk ka dhënë gjykime, rreth asaj që shihte. Megjithëse ishte diçka krejtësisht e re, ndonjëherë e befasishme si kulturë e jona, meqë vinte nga Anglia, nga një edukatë viktoriane dhe vërtetë është një grua që ndoshta sot mund të jetë një model që duhet të kesh jo vetëm guxim por edhe të jesh kureshtare dhe shumë e respektuar për kulturat, së pari tënden e pastaj edhe për kulturat e tjera, ka  përfunduar Kamberi.

Pas këtyre diskutimeve të cilat u mbajtën, u dha mundësi për të bërë pyetje edhe studentëve të Universitetit te Prishtinës, të cilët deri tani kishin dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë ecurinë e ngjarjes, ku edhe morën përgjigje më konkrete për pyetjet të cilat ua kishin parashtruar studiueseve.

Përpos shumë studentëve të Universitetit të Prishtinës, diskutimin nga afër e ndiqnin Prodekani Isa Memishi, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, zv.ambasadorja e shtetit Zviceran, Paulinë Menthonnex-Gacaferri, shefi i misionit diplomatic të Belgjikës në Kosovë Julien Sassel, përfaqësuesi i ambasadës së Francës në Kosovë z. Nexhmi Musliu, dhe Shefja e departamentit të Frëngjishtes, Bade Bajrami.

/Shqip.com