Lajme

Edi Rama për energjinë elektrike: Kosova realisht është në hall

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën vjetore ka përmendur edhe ndihmën që ia ka ofruar Kosovës për ta furnizuar me energji në festat e fundvitit.

Rama ka thënë se nuk është hera e parë që e ndihmojnë Kosovën, përcjell Shqip.com.

“Ne e kemi ndihmuar Kosovën edhe deri pak ditë më parë, nuk është hera e parë. Kosova realisht është në hall. Sa herë do jetë e mundur do ta ndihmojmë patjetër. Nga ana jonë ne nuk do bëjmë kufizime. Gjërat duhen parë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm si do zhvillohen ngjarjet në kuptimin global”, tha Rama gjatë konferencës.

Kryeministri i Shqipërisë, në Twitter kishte thënë se do të ndajnë rrymë për Kosovën aq sa kanë mundësi, për festat e fundvitit.

“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, kishte shkruar Rama.

Energjia elektrike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 29 dhjetor kanë votuar masat emergjente të Qeverisë, për situatën me furnizim me energji elektrike.

Vendimi i Qeverisë u votua në Kuvend me 57 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në mbledhjen e 24 dhjetorit, Qeveria e Kosovës vendosi për masat emergjente në furnizim me energji elektrike do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë./Shqip.com