Sport Shqiptar

Edhe një super talent i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë

Kombëtarja e Shpresave të Shqipërisë është në një moment ku po reformon grupin e saj për shkak të kalimit të moshës, por edhe të evidentimit të lojtarëve të rinj të talentuar.

Kohët e fundit kanë afruar shumë emra të rinj që mesa duket nuk janë të vetmit. “Panorama Sport” mëson se Reshat Ramadani do të jetë afrimi i radhës në skuadrën e drejtuar nga Alban Bushi, i cili po përgatit grupin që do të konkurrojë në kualifikueset e radhës.

Ramadani është një mesfushor 19-vjeçar, i cili luan në kampionatin e Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën e Tetovës. Ai ka debutuar vitin e kaluar me ekipin e parë dhe karakteristikat e tij janë të një mesfushori me tipare shkatërruese dhe i fortë me lojën në ajër e në duele fizike.

Edhe pse ai është ftuar dhe ka luajtur me Përfaqësuesen U-19, U-20 dhe U-21 të Maqedonisë së Veriut, ai është me origjinë nga Shqipëria dhe në grumbullimin e radhës pritet që kuqezinjtë t’i dërgojnë një ftesë 19-vjeçarit, që ka shprehur dëshirën e tij për të veshur fanellën e Shqipërisë.

Në fakt, lidhur me këtë kalim, që pritet të ndodhë së shpejti, nuk do të ishte rasti i parë, pasi Arda Kurtulan ndoqi të njëjtën rrugë, po ashtu edhe Agan Mjaki që luan në Holandë, kaloi te Shqipëria po nga moshat e Maqedonisë.

Sa i përket Ramadanit këtë sezon me Shkëndijën e Tetovës ka luajtur gjithsej 18 ndeshje, 13 në kampionat dhe pesë në eliminatoret e Ligës së Konferencës, ku tetovarët morën pjesë në verë.

/Shqip.com