OP-ED Kolumne

Edhe Hashim Thaçi sot ka arsye të ndjehet krenar me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj dhe të tjerët sot po përballen me padrejtësinë më të rëndë që po i bëhet shtetit të Kosovës, respektivisht luftës së pastër të UÇK-së. Secili interpretim se ky proces nuk e gjykon luftën por individin, është i pasaktë. Atje po gjykohen disa nga njerëzit që i dhanë ngjyra emblemës së UÇK-së. Ndërsa ata që thonë se përgjegjës kryesor për themelimin e kësaj Gjykate është Hashim Thaçi, kanë të drejtë.

Por, në rrethanat aktuale kjo nuk do të duhej të ishte temë. Veçanërisht kur mbi supet e Hashim Thaçit peshon edhe barra e disa qeverisjeve të cilat Kosovën e sjellën buzë greminës. Përkundër të gjitha përpjekjeve të tij, shteti më i ri evropian u bë “Zvicër” për militantët partiak dhe familjarët e ish-pushtetarëve, ndërsa “tokë që duhet braktisur” për rininë dhe profesionistët që duan të shërbejnë me nderë.

Por, mbi të gjitha, gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit kur ai veç i ndërronte partnerët, herë me Isa Mustafën, herë me Behgjet Pacollin, e herë me Ramush Haradinajn, shteti thuajse kolapsoi në arenën ndërkombëtare. Edhe ambasadat e Kosovës u stërngarkuan me njerëz që “kualifilikim” të vetëm e kishin librezën partiake ose afërsinë familjare. Se kjo traditë ka ndryshuar me qeverisjen e re është vështirë të thuhet, por ajo që lehtësisht mund të konstatohet është fakti se Hashim Thaçi dështoi keq në diplomacinë e pasluftës. 

Sot, kur ai e sheh Qeverinë e re, si një luftëtar i dikurshëm, ka arsye të mburret me përfaqësimin dinjitoz të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti. Përgjatë mandatit të tij, Serbisë nuk iu bë asnjë koncesion i vetëm, pavarësisht presionit të kundërshtarëve të brendshëm politik që prisnin të dështonte në procesin e dialogut. Ashtu siç ka dështuar Hashim Thaçi.

Ka kohë që Hashim Thaçi ndjehet i tradhtuar nga të gjithë. Veçanërisht nga ata që i konsideronte miq! Në muret e ftohta të burgut në Hagë, ai do ta ndjejë për herë të parë atë që mund ta ketë ndjerë Albin Kurti fillimisht në burgjet e Serbisë, e më pas edhe në qelitë e Kosovës – vetminë dhe mundësinë për të reflektuar.

Përgjatë më shumë se një dekade në pushtet, Hashim Thaçi u demonizua nga opozita, shpesh edhe nga partnerët e tij në qeverisje. Ai shihej si një valutë, si një kredit kartë e sigurt për të gjithë servilët përreth. Sot janë po të njëjtit servilë që vajtojnë për lirimin e tij, jo pse janë përmalluar për të, jo pse brengosen për luftën e UÇK-së dhe drejtësinë, por ngaqë nuk mund të funksionojnë pa dobitë që ua sillte pushteti i Hashim Thaçit! Duke iu nënshtruar, pavërejtshëm e kishin shndërruar Hashim Thaçin në rob të ambicieve të tyre, ndërsa në publik e shprehnin të kundërtën!


Në këto rrethana, Thaçi më i robëruar ishte në Kosovë sesa në Hagë. Rob i pavullnetshëm i atyre që përfituan nga privilegjet që gëzuan gjatë këtyre dekadave duke u strukur pas emrit të tij. Njerëz që e shtyn drejt gabimeve politike duke i thënë “bravo shef, ti je më i miri”, të cilat e shënuan edhe fundin e tij.
E, Hashim Thaçi nuk ishte as më i mençuri, as më trimi, as më vizionari. Pas luftës, ishte thjesht një pushtetar që nga halli u mësua gabimet t’i mbulojë me gabime të tjera më të rënda.

Sot, Hashim Thaçi ka arsye të mburret me përfaqësimin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Për sukseset e tyre ka kontribuar edhe ai vetë: që të dy kanë mësuar nga gabimet e tij në të kaluarën.

Andaj, edhe sot askush nuk i beson përrallës se kryeministri i Kosovës është “anti-amerikan”. 14 shkurti e dëshmoi se në Kosovë votuesit kanë vetëdije të lartë, se qëmoti e kanë kuptuar s SHBA është djepi ku përkundet demokracia botërore. Ata respektojnë secilin përfaqësues që një popull zgjedh ta ketë si letërnjoftim të tij. As e duan Albinin më shumë, as Hashimin më pak. Thjeshtë, duan që Kosova të zhvillohet dhe të jetë projekt i suksesshëm. 

Sot, qytetarët duan shpresë dhe atë e shohin tek binomi Vjosa – Albin. Ndërsa të korruptuarit me klithma duan pushtet ngaqë gradualisht e kuptojnë se Hashim Thaçi është një “monedhë e shpenzuar”. Shpëtimin do të kërkojnë ta gjejnë duke u strehuar dhe nënshtruar tek Albin Kurti! Në këto rrethana, Hashim Thaçi do të ndjehet gjithnjë më i braktisur dhe i vetmuar.

Vëmendje: Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com