E rëndë/ Rrahu për vdekje nënën e tij, arrestohet 35-vjeçari në Rrogozhinë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë në fshatin Vilë Bashtovë të bashkisë Rrogozhinë.
Fillimisht u raportua se një e moshuar 75-vjeçe ndërroi jetë për shkaqe natyre, por pas hetimeve rezultoi se djali i saj, Ndriçim Sokoli me sëmundje mendore e kishte rrahur për vdekje.
35-vjeçari u arrestua të dielën nga policia.
Njoftimi i Policisë:
U raportua fillimisht si vdekje natyrale, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet shkaku i humbjes së jetës së 75-vjeçares.
Vrau nënën e tij, nëpërmjet dhunës fizike, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari Ndricim Sokoli.
35-vjeçari vuante nga sëmundje mendore.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së shtetases 75 vjeçe, e cila u gjet e pajetë më datë 10.02.2024, në banesën ku jetonte me djalin e saj, sqarojmë se:
Në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar si vdekje natyrale.
Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja kishte disa orë që kishte humbur jetën.
Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, shtetasi i cili vuan nga sëmundje mendore, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/Shqip.com