Lajme

Dyshohet se urdhëroi dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi, ky është Dritan Nano. Para policisë mohoi akuzat

Personi në foto është Dritan Nano, i cili u arrestua nga policia ditën e djeshme pasi dyshohet se organizoi sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së mërkurës (29 Maj) përballë një kopshti në ish-Bllok.

Në dëshminë e dhënë për policinë, 58-vjeçari ka mohuar të ketë gisht në ngjarjen e rëndë.

“Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”, ka dëshmuar para hetuesve Dritan Nano.

Ai mësohet se nuk ka qenë bashkëpunues me policinë, ndërsa kjo e fundit mësohet se disponon prova të mjaftueshme për implikimin e tij në ngjarje.

Drian Nano raportohet se ka pasur lidhje krushqie dhe shoqërore me autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ndërsa 19-vjeçari, Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua në polici disa orë pas dhunimit të juristit, është shprehur se: “Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk e menduam që situata do të rëndohej kaq dhe avokati do të merrte kaq dëme të rënda”.

Sipas burimeve juristi, i cili u dhunua brutalisht nga vëllezërit Drivald Alia 21 vjeç e Dorian Alia 19 vjeç dhe Elton Kasaj 33 vjeç, vazhdon të jetë në monitorim intensiv nga stafi mjekësor i reanimacionit.

/Shqip.com