Dy orë në SPAK, Meta: Telenovelë që përdoret nga Rama, s’ka asnjë fakt që më implikon te afera CEZ-DIA

Ilir Meta është pyetur nga SPAK këtë të mërkurë për dy orë me radhë lidhur me aferën CEZ-DIA. Pas marrjes në pyetje nga hetuesit, Meta u shpreh për mediat se nuk ka asnjë fakt që e implikon atë.
Kreu i PL theksoi gjithashtu se kjo çështje po përdoret ndaj tij nga kryeministri Edi Rama.
“Nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë dokument, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje apo akte nënligjore dhe gjithçka tjetër nga Ilir Meta nga posti i zv/ kryeministrit apo ministrit të Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë DIA-n dhe CEZ-in”, tha Meta.
“Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje”- shtoi kreu i PL.
Meta tha se kjo dosje po përdoret politikisht nga Edi Rama për të larguar vëmendjen nga skandalet e qeverisë. “Diktohet politikisht nga Rama për të shmangur vëmendjen nga skandale, për të spostuar vëmendjen në thashetheme që kanë të bëjnë me 15 vite më parë“, tha Meta.
Kallëzuesin e tij në SPAK, Ilir Meta e quajti të rremë dhe njeri që përdoret nga qeveria për shpifje.
“Romeo Kara, punonjës i OSHEE, përdoret nga regjimi për shpifje. Në procesin e parë nuk ka përmendur emrin tim, më pas për arsyet e tij më ka përmendur. Prokurorët bënë pyetjet e tyre, unë dhashë përgjigjet, nuk ka asnjë shkresë, akt, urdhër, apo iniciativë për ligje dhe akte nënligjore e gjithccka tjetër nga Ilir Meta, si zv/kryeministër apo ministër Ekonomie në interes të askujt, përfshirë këtu edhe DIA-n dhe CEZ-in. Ministria e Ekonomise si pronare e aksioneve të KESH, e ka denoncuar vendimin e ERE, që favorizonte CEZ-in në dhjetor 2012 për blerje energjie në dëm të konsumatorëve. Unë isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme që nuk kanë asnjë rëndësi”, tha Meta.
Gazetarët: A u pyetët për Kastriot Ismailajn?
Ilir Meta: Unë kam dhënë shpjegime edhe më parë dhe para opinionit. Nuk ka asnjë vendim, shkresë apo akt nga ana e Ilir Metës, si zv/kryeministër apo si ministër Ekonomie në interes të askujt. Kjo është çështje e gjykuar dy herë në të shkuarën, në Arbitrazh dhe brenda vendit. Kjo çështje diktohet nga Edi Rama për të shmangur vëmendjen nga skandalet, duke iu kthyer çështjeve që kanë të bëjnë me 14-15 vite më parë.
Nuk kam interes për dëshminë e Ismailajt, jetojmë në kohë kur dëshmitë e rreme dhe kallëzuesit e rremë janë bërë në modë. Kemi një qeveri që kërkon të shmangë vëmendjen nga skandalet, unë jam këtu dhe do jem transparent për çdo akt e vendimmarrje që kam bërë në të kaluarën por do vijojmë të mos shfokusohemi nga beteja për kapjen e shtetit. Unë jam këtu në respekt të ligjit, ua thashë dhe po ua them përsëri, asnjë akt, apo vendim nga Ilir Meta në favor të askujt.
Gazetarët: Nuk besoj se ka qenë Kastriot Ismailaj në pyetjet e sotme, por kjo nuk është e rëndësishme. A parashikoni që situata juaj të rëndohet?
Ilir Meta: Nuk më habit asnjë keqpërdorim i institucioneve të drejtësisë, unë jam këtu përballë jush e qytetarëve për të gjithë shqiptarët. Askush nuk duhet të ketë iluzionin se kështu do arrijnë të shfokusojnë Metën dhe PL.
Duhet të keni parasysh se pjesa më e madhe e dëshmitarëve kanë dhënë dëshmitë e tyrë në arbitrazh dhe në procesin e parë brenda vendit. Asgjëkundi në dëshmitë e tyre nuk ka qenë emri i Ilir Metës. Mos kini asnjë shqetësim, do përballemi me ju dhe me drejtësinë dhe me çdo të vërtetë.
/Shqip.com