Dy gazetare ukrainase mbërrijnë në Kosovë

Iryna Synelnyk dhe Oksana Chykanch janë dy gazetaret ukrainase që kanë ardhur të dielën në Kosovë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetaret janë mirëpritur nga kolegia e tyre, Lyudmila Makey, kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, zyrtarja Ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, si dhe përfaqësues të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.
“Synelnyk dhe Chykanch – do të strehohen në Kosovë, në kuadër të programit ‘Journalists in Residence – Kosovo’, i cili është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe European Federation of Journalists – EFJ, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në, ku deri më tani kanë strehuar gjashtë gazetarë”, thuhet në njoftim.
Federata Evropiane e Gazetarëve e ka shpërndarë një video ku ribashkohen gazetaret Ludmilla Makey dhe Oksana Chykanchy të cilat ishin ndarë nga njëra-tjetra për shkak të luftës që është duke ndodhur në Ukrainë.
Deri më tani në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo” janë strehuar gjashtë gazetare nga Ukraina.
Radio Televizioni i Kosovës ka ofruar katër vende pune për gazetarët nga Ukraina.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur të shtunën më 16 prill 2022 nga Bordi i RTK-së.
RTK ka planifikuar t’u ofrojë akomodim në hapësira të punës deri në gjashtë muaj katër gazetarëve ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Programi ‘Gazetarët në Rezidencë në Kosovë’ është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë.
Ky program ofron pagë mujore, akomodim, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.
Më 17 prill në vend erdhi gazetarja e parë ukrainase Lyudmila Makey./Shqip.com