Duda Balje nuk ofron dëshmi para prokurorisë për krimet e luftës
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje gjatë intervistimit në prokurori ka mohuar se e njeh gruan e cila ishte dhunuar seksualisht në vitin 1999.
Balje në një emision televiziv kishte deklaruar se ajo ishte takuar me një grua e cila ishte dhunuar seksualisht nga një person i cili punon si pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Mirëpo në prokurori ajo ka ndryshuar deklaratat duke thënë se nuk posedon asnjë shënim për viktimën. Prokuroria për shkak të mungesës së informacioneve nuk ka arritur që të iniciojë rast.
“Gjatë intervistës, prokuroria ka kërkuar nga deputetja Balje, të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës apo ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën. Mirëpo, deputetja lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk e dinë emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit” thuhet në njoftimin e prokurorisë. /Shqip.com