Driton Kuka propozohet për titullin “Dr. Honoris Causa”, por çfarë është ky çmim?

Trajneri i medalisteve olimpike, Driton Kuka pritet të propozohet për titullin Dr. Honoris Causa, shkruan Shqip.com.
Propozimin për këtë titull e ka bërë Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, i cili do të bëjë një propozim në senatin e Universitetit “Hasan Prishtina” që t’i ndahet ky çmim Driton Kukës.
Por çfarë është çmimi “Dr. Honoris Causa”?
“Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet apo një tjetër institucion që jep tituj i akordon si mënyrë nderimi për kontributet, një vizitori të shquar në një fushë të caktuar apo përgjithësisht në shoqëri.
Ky titull shoqërohet me një ceremoni solemne dhe me fjalime që mbeten në kujtesë të studentëve dhe publikut duke shkruar një histori më vete në universitet, historinë e të mëdhenjve që janë nderuar e kanë lënë gjurmën e tyre aty.
Me punën e tij, Kuka ka arritur t’i nxjerr tri medaliste olimpike.
Fillimisht Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, kurse në garat olimpike të këtij viti “Tokyo 2020”, Kuka arriti t’i nxjerr edhe dy medaliste të arta.
Distria Krasniqi ishte e para që i siguroi Kosovës medaljen e artë në këtë Olimpiadë, pastaj edhe Nora Gjakova./Shqip.com