Sport Shqiptar

Drita e Nuhiu ndahen edhe zyrtarisht

Ashtu siç u paralajmërua më herët, Drita i ka ndarë rrugët me trajnerin Ardian Nuhiu. Vendimi është komunikuar në një konferencë për media, të cilën skuadra gjilanase e mbajti të enjten në mesditë.

“Kemi marrë vendimin e ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin Nuhiu. Arsyeja mund të lidhet me eliminimin e hershëm nga Kupa e Kosovës. Menjëherë pas ndeshjes jemi takuar me presidentin, kemi biseduar edhe me trajnerin dhe vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin katërvjeçar. E falënderojmë për kontributin dhe suksesin në futbollin vendor edhe atë ndërkombëtar. I dëshirojmë suksese në karrierën dhe e falënderojmë përzemërsisht për të mirat që i dha klubit tonë. Me plot bindje them se nuk është lamtumirë, por vetëm një mirupafshim”, ka thënë drejtori gjeneral Feti Murseli.

Ndërsa, vetë Nuhiu ka thënë se Drita do të jetë gjithmonë në zemrën e tij.

“Dua të falënderoj këtë familje të madhe të klubit Drita. Katër vite të jashtëzakonshme. Emocione, histori, fitore, humbje, dhimbje e për më tepër gëzime. Falënderoj dy presidentët dhe drejtuesit që gjithmonë, 24 orë kemi qenë bashkë për të mirën e kësaj skuadre. Falënderoj edhe tifozët, mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme nëpër stadiume. Stafit tim, stafit mjekësor, dhe më të rëndësishmit, secili futbollist që kaloi këtë derë gjatë këtij rrugëtimi i jam falënderues i jashtëzakonshëm, sepse pa ta s’do t’i kishim sukseset. Dhe ky klub do të ketë vend të veçantë në zemrën time, sepse vërtet kemi kaluar jashtëzakonisht mirë”, ka deklaruar Nuhiu.

/Shqip.com