Drejtorit të ATK-së i ndalet 50 për qind e pagës, nuk respekton vendimin e KPMSHCK-ës

Ka afër dy muaj që drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajt, i është ndal 50 për qind e pagës.
Ky vendim për të është marrë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pasi Murtezaj nuk kishte përfill dy vendime.
Më 16 dhe 23 qershor 2021 ky këshill e kishte obliguar Murtezajn që t’i kthente në pozitën e drejtorit dy punëtorë të ATK-së.
Por, i njëjtë nuk kishte zbatuar vendimin.
“I ndalohet 50% e pagës mujore z. Ilir Murtezaj, Zèvendësues i Drejtorit te Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, pèr shkak se i njëjti nuk ka zbatuar në plotni Vendimin A.nr.161 /2021 të datës 23.06.2021 dhe Vendimin A.nr 484 / 2021 të datës 18.06.2021 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës“, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Për këtë çështje, është kontaktuar edhe drejtori i ATK-së, i cili fillimisht ka thënë se do të përgjigjet përmes e-mailit, por nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Në anën tjetër, kryetari i KPMSHCK-së, Jeton Koca, thotë se vendimi po vazhdon të mos zbatohet.
“Jo, aktualisht nuk është duke e respektuar. Ende s’kemi njoftim që është duke e zbatuar vendimin. Institucioni në momentin që e zbaton vendimin, na njofton, por deri në këtë moment nuk kemi pranuar njoftim nga drejtori i ATK-së. Pa na njoftu, vendimi ynë mbetet në fuqi”, tha Koca.
Si rezultat, në vendimin e Këshillit thuhet se ndalesa e pagës do të bëhet deri në zbatimin e plotë të vendimeve nga ana e Murtezajt.
Në shenjë kundërshtimi, Murtezaj këtë vendim e kishte adresuar edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por, përmes një aktvendimi më 27 maj 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në të drejtë të këshillit, duke hedhur poshtë ankesën e Murtezajt.

Theksojmë se Murtezaj kishte ushtruar kallëzim penal në Prokurorinw Themelore edhe më 2018-të ndaj B.SH dhe H.H.
Kallëzimin penal e kishte ushtruar në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Murtezaj i kishte akuzuar eprorët e tij për “veprimin e kundërligjshëm” me vendimin nr.148 të datës 7 prill 2016-të në rastin e transferit të tij nga pozita e drejtorit të Departamentit të Tataimpaguesve të Mëdhenj (DTM-së) në pozitë të drejtorit të Departamentit të Shërbimit të të Tatimpaguesve (DSHT-së), pozitë që sipas Murtezajt është inekzistente ligjërisht./Shqip.com