Drejtori i QKMF-së në Skënderaj: Gruaja që u vra nga burri i kishte tri plagë

Gruaja 48-vjeçare që dyshohet se të mërkurën u qëllua për vdekje nga burri i saj në Llaushë të Skënderajt ka pasur tri plagë të rënda, dy në gjoks dhe një në dorë, përcjell Shqip.com.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skënderaj, Agron Mehmeti.
Sipas tij, viktima ka qenë me shenja jete derisa është dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
“Qendra Emergjente është njoftuar rreth orës 14:00 për një rast në fshatin Llaushë dhe menjëherë ka shkuar ekipa kujdestare me doktoreshën dhe ekipin e infermierëve në shtëpi dhe e kanë marrë një grua rreth moshës 48 vjeçare me plagë të rënda dhe e kanë transferuar menjëherë në qendrën emergjente dhe ju ka dhënë ndihma e parë dhe me autoambulancë me shenja jete ka shkuar deri në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Ekipa kur ka shkuar në shtëpi që ta marrë, e ka marrë me shenja jete, ka qenë gjallë deri në spitalin rajonal të Mitrovicës, edhe pse në gjendje shumë të rëndë, me tri plagë të rënda, sipas drejtorit kujdestar. Plagët kanë qenë të lokalizume, në regjionin e gjoksit dy dhe në regjionin e dorës”, ka deklaruar ai për T7.
Ndërkaq, Policia ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për kryerjen e vrasjes dhe në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë zjarri që kishte tre fishekë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë (6) gëzhoja kurse pas intervistimit, të dyshuarit S.Q., 51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor./SHQIP.com