Kulturë

Dori Camaj / Të bësh paqe me veten, duke dashuruar vdekjen…

Dori Camaj / Poete
Dori Camaj / Poete

Shkruan: Dori Camaj

TË BËSH PAQE ME VETEN, DUKE DASHURUAR VDEKJEN…

E di që duket e çuditshme, madje deri diku edhe e frikshme, por fundja, a nuk e bëjmë çdo ditë këtë!?

Po.

Natyrisht, kur i referohem vdekjes, nuk flas për të, në kuptimin e saj të parë si nocion a si pjesë e pandashme e ciklit jetësor, por i referohem si fundi i një rrugëtimi që nuk të lë zgjedhje tjetër.

Ndodh kur dashurojmë më së shumti, e njeriu, duke qenë i prirur të pretendojë lumturinë në çdo aspekt, nëse diçka nuk shkon si duhet, mërzitet, trishtohet, mallkon veten dhe botën, për këtë “padrejtësi” që iu bë, dhe se më mirë do kish qenë t’i kishte larë duart me këtë botë se sa të përjetonte këtë “hata”…

M’andej, i përqendron gjithë qelizat si një tufëz filizash që ndjekin diellin e mëngjesit ,drejt një dhimbjeje utopike që e barazon me vdekjen. Njeriu përball teje, tashmë nuk frymon më, thjesht shënjestrohet si një tabelë qitjeje për fatin tënd të” zi”.

Mos o Zot me mendue që një marrëdhënie, që të quhet e tillë, ka dy personazhe përballë njëri-tjetrit dhe si rrjedhojë edhe faji, në të shumtën e rasteve është lehtësisht i ndashëm..

Por jo!

Vijon gjithnjë me shprehjen e famshme klishe:-Ti tashmë për mua je i vdekur…

Iku dhe një, u varros, e ti tashmë vajto, se e ke me hak dhe drejtësia jote, një ditë do triumfojë…

E si jo!?

Aq triumfon sa bëhet thjesht një arsye për të hedhur ca gota të mira, e për ti nxjerrë fundin një a më shumë shisheve…

Njejt ndodh edhe në situata të tjera, jo domosdoshmërisht dashurore..

Sërisht e marrtë dreqi botën, që kur ndau ato kilogramët e fatit të mirë, ty nuk të ftoi…

E më pas, e marrtë dreqi këtë vend, që edhe pse ti e ke shitur votën si ke dashur, ke dhënë e ke marrë rryshfet si derr, ke heshtur para shumë padrejtësive, madje i ke bërë fresk edhe shprehjes së famshme :-Ra zjarr në fshat, larg shtëpisë sime, e ra në zjarr shtëpi, larg b….. sime…

E gjitha kjo, përkthehet me një teatër absurd, ku kryefjala është bota, se ti je qelibarë…

Hej,

mendo që ai njeriu që deshe, të fali edhe çaste të paharruara, e njëjtë si ti, ka derdhur lot…

Hej,

fatin njeriu e bën edhe vetë nëse nuk i pëlqen se çka i serviret, se në fund të fundit, topi është i imi e penalltinë e gjuaj unë…

Mos krijo funeralë të çartur në kokën tënde, se asgjë nuk mbaron aty…

Nëse ka një dhimbje që nuk largohet në këtë jetë është pikërisht vdekja, e ti e lyp si paqe për shpirtin…

Mbill një lule, e rrite vetë, atëherë në mos mundsh, edhe “vdekjen” hak e ke…

/Shqip.com