Dorëheqjet e serbëve nga pozitat publike – Presidentja Osmani takohet me kryetarin e KQZ-së

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin.
Temë qendrore e diskutimit ishte shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së zyrtarëve të zgjedhur nga katër komunat në veri të vendit si dhe zëvendësimi i deputetëve të dorëhequr.
Kështu thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca, pas përfundimit të takimit.
Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Sipas saj së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor.
Ndërsa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka informuar presidenten e vendit se institucioni i tij posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.
/Shqip.com