Kulturë

Doli nga shtypi “Kultura e gjuhës sot” e akademikut Shkurtaj

Libri “Kultura e gjuhës sot” (Përmbledhje studimesh dhe pjesë tekstesh universitare) i akademikut Gjovalin Shkurtaj, doli në dritën e botimit (nga shtëpia botuese “Pegi”), pikërisht në ditët e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1972-2022).

Ky libër vjen mbas shumë librave të mëparshëm të akademik Shkurtaj që kanë si bosht dukuri e probleme aktuale të kulturës së gjuhës, si: “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1983 dhe botimi i dytë 1988), “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur” (1998 ); “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe (2003) “Kultura e gjuhës” (2006); “ Si të shkruajmë shqip” – Nga drejtshkrimi te shkrimet profesionale – (2008, 2012; ”Sociolinguistika” (1999); “Sociolinguistikë e shqipes” – Nga dialektologjia te etnografia e të folurit, botim i dytë, (2009); “Urgjenca gjuhësore” – Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe-Fjalorth (“Ada”, 2015 dhe “Naimi”, 2017); Gj.Shkurtaj-M.Shopi “Gjuha, ligjërimi dhe jeta” – Përmbledhje leksionesh, krestomaci dhe ushtrime sociolinguistike” (2018).

Akademik Shkurtaj shkruan se, prej këtyre librave, prof. as. dr. Meleq Shopi, pedagoge në Universitetin e Elbasanit “A’Xhuvani”, ka përzgjedhur pjesët ose krerët (kapitujt) më të përshtatshëm, si dhe disa artikuj, kumtesa e shkrime të tjera të këtyre viteve të fundit, që mund të jenë si bazë për lëndën “Kultura e gjuhës” që është e domosdoshme (dhe shpresojmë) të futet si lëndë e re në të gjitha degët e shkollave të larta.

/Shqip.com