Lajme

(DOKUMENT) Aliu shkarkon Izedin Bytyqin nga pozita e sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, emëron Servet Spahiun

Izedin Bytyqi është shkarkuar nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Në vendimin e marrë nga ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, të cilin e posedon SHQIP.com, Bytyqi është shkarkuar të mërkurën më 24 maj.

Arsyet e shkarkimit të Bytyqit ende nuk janë bërë të ditura.

SHQIP.com ka provuar të marrë një qëndrim nga zëvendësministri Hysen Durmishi në lidhje me arsyet e shkarkimit por i njëjti nuk ka dashur të deklarohet.

Në vend të Bytyqit, është emëruar Servet Spahiu.

Sipa spikës 2 të vendimit thuhet se “I emëruari nga pika 1 e ketij vendimi, ushtron përgjegjésitè e Sekretarit te Përgjithshém të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapèsinor dhe Infrastrukturès konform Ligjit Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe te Agjencive të Pavarura, si dhe legislacionit tjetër pèrkatës në fuqi”.

Vendimi nga MMPHI

Kush është Izedin Bytyqi?

Izedin Bytyqi ishte shkarkuar nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në mars të 2021-tës.

Atë kohë, në krye të MMPHI-së, ishte Arban Abrashi, i cili e kishte pezulluar nga detyra e sekretarit të përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit ishte iniciuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore.

Kjo pasi, sipas vendimit të Ministrisë, Bytyqi, gjatë muajit shkurt kishte kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Kosovës. Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Bazuar në vendim, ministri Abrashi kishte obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që Bytyqi të sistemohet në pozitën “drejtor departamenti” në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Obligohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, që të bëjë sistemimin e z. Bytyqi në pozitën Drejtor I Departamentit në bazë të Rregullores (QRK) nr. 16/2015 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistemimin e Vendeve të Punës në Ministrinë Infrastrukturës”, thuhej në pikën 2 të vendimit.

Por, një ditë pas këtij emërimi, Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme e Kosovës, Agim Veliu kishte anuluar vendimin e Abrashit për shkarkimin e Bytyqit dhe njëkohësisht edhe emërimin e sekretarit të ri Zymer Abdullahu./Shqip.com