Lajme

DnV: Gjatë fushatës zgjedhore pati shkelje flagrante të masave antiCOVID

Eugen Cakolli nga DnV

Demokracia në Veprim vlerëson se fushata zgjedhore e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale është zhvilluar me shkelje flagrante të masave kundër Coronavirusit.

Eugen Cakolli nga DnV-ja, në një konferencë për medie, tha se fushata zgjedhore nuk është ndërprerë që nga shpallja e rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 17 tetor.

Siç bëri të ditur ai, në secilin tubim të organizuar nga partitë politike, është vërejtur mosbartja e maskave dhe mungesa e distancës fizike.

May be an image of one or more people and people standing
Tubim masiv i LDK-së në Istog gjatë fushatës zgjedhore – një prej shumë tubimeve të partive ku nuk respektohen masat antiCOVID

Cakolli po ashtu ka vënë në dukje mungesën e kontrolleve sistematike nga Policia e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, rrjedhimisht shqiptimin e gjobave nga këto institucione për subjektet që kanë shkelur masat.

“Edhe në rastet kur KQZ ka thënë se janë duke zhvilluar aktivitete me shkelje ndaj masave, institucionet nuk kanë vepruar. Po ashtu janë zhvilluar aktivitet brenda në objekteve të shkollave, përkundër se MAShTI ka ndaluar atë”, u shpreh ai para gazetarëve.

Tutje, Cakolli tha se marrëveshjet e koalicioneve partiake nuk janë bërë publike për qytetarët.

Ai theksoi se në programet qeverisëse nuk është bërë e ditur ekipi me të cilën do të punojë kryetari i ardhshëm.

Po ashtu, njoftoi se DnV-ja do t’i angazhojë 90 vëzhgues të dielën, në komunat ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve./SHQIP.com