Dita e katërt e luftës: Borrell: BE është e shqetësuar se kriza mund të përhapet edhe në vendet tjera

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtë të Bashkimi Evropian, ka thënë se BE-ja është e shqetësuar se kriza e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon,” tha Borrell në një konferencë për media në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën që po mbizotëron në Ukrainë.

“Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, tha Borrell.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se për herë të parë, si përgjigje ndaj kruzës në Ukrainë, se do të përdor fondet e saj për të ndihmuar ushtarakisht ukrainasit.

Të gjitha lajmet nga dita e tretë e luftimeve mund t’i lexoni në këtë link.

Përmbledhje

Ukraina padit Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
FIFA ndalon himnin dhe flamurin rus, i zhvendos ndeshjet e Rusisë në shtëpi në vende neutrale
Franca u thotë qytetarëve të saj të largohen nga Rusia
Kryetari i Kievit: Mos besoni rrena, nuk kam thënë që s’kemi ku t’i evakuojmë civilët
Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton për dërgimin e çështjes së Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme
Bombardimet ruse të luftës në Ukrainë, lind një vajzë në strehën e sulmeve ajrore
Borrell: BE është e shqetësuar se kriza mund të përhapet edhe në vendet tjera
Turqia sinjalizon që mund t’ia bllokojë qasjen Rusisë në Detin e Zi
Zelensky: Belgjika po na dërgon 3000 mitralozë dhe 200 granatahedhës anti-tank
Shtëpia e Bardhë i përgjigjet vendimit të Rusisë për t’i vënë forcat bërthamore në gatishmëri të lartë
Kryebashkiaku i Kievit: Jemi të rrethuar, s’kemi ku t’i evakuojmë civilët
Të rejat e fundit nga lufta në Ukrainë
Ministrja shqiptare prezanton listën e plotë të sanksioneve ndaj Rusisë
Suedia do të dërgojë armë në Ukrainë
Raketat nga Bjellorusia godasin aeroportin, thotë zyrtari ukrainas
Presidenti ukrainas: Nuk pres shumë nga takimi i së hënës, por le të provojmë
“Rreth 120 amerikanë janë larguar nga Ukraina në 24 orët e fundit”
BE ndalon organet ruse të lajmeve Russia Today dhe Sputnik
Bashkimi Evropian po mbyll hapësirën ajrore për Rusinë
Rusia “pranon humbjet” për herë të parë
Realitet paralel në televizionin shtetëror të Rusisë
Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për miliona refugjatë ukrainas, thotë komisioneri i BE-së
Spanja do e mbyllë hapësirën ajrore për linjat ruse
“Shkatërrohet avioni luftarak më i madh në botë” – thotë ministri i Jashtëm i Ukrainës
Haradinaj: Agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit
Jans Stolenberg flet për “paralajmërimin bërthamor” të Putinit
Hapësira ajrore e Kanadasë është e mbyllur për të gjithë operatorët e avionëve rusë
SHBA e quan “krejtësisht të papranueshme” lëvizjen bërthamore të Putinit
Ministri Byrne: Sanksionet ndaj Rusisë, do të kenë ndikim shkatërrues mbi rusët dhe presidentin
Putin urdhëron që forcat e parandalimit bërthamor të jenë në gatishmëri të lartë
Presidenti i Ukrainës pranon bisedimet me Rusinë në Bjellorusi
“Nuk ka trupa ruse” në Kiev, thotë kryebashkiaku Klitschko
Rusia i jep Ukrainës afat për vendimin për bisedimet në Bjellorusi
Zelensky: Ukraina ka paraqitur kërkesën kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
Ministri i jashtëm ukrainas: Së bashku e mposhtëm Hitlerin, ta mposhtim edhe Putinin
Musk aktivizion Starlink në Ukrainë pasi pushtimi rus ua ndërpreu internetin
Finlanda dhe Irlanda bllokojnë fluturimet ruse
Zelensky u bën thirrje “qytetarëve të botës” që të bashkohen në luftën kundër Rusisë
Dita e katërt e luftimeve: Presidenti ukrainas refuzon që të bisedojë me Rusinë në Bjellorusi
Luftimet shpërthyen edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës
Franca do të dërgojë karburant dhe pajisje mbrojtëse në Ukrainë
Më shumë se 150 mijë refugjatë janë larguar nga Ukraina brenda katër ditëve
Polonia do të sigurojë tren për transportin e të plagosurve nga Ukraina
Ukraina padit Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
Presidenti i Ukrainës

Ukraina ka dorëzuar një aplikacion kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë(GjND).

Në aplikim, Ukraina thotë se Rusia ka “pretenduar në mënyrë të rreme se akte gjenocidi kanë ndodhur" në rajonet separatiste të Luhansk dhe Donetsk, duke shtuar se Rusia më pas deklaroi dhe zbatoi një "operacion special ushtarak" kundër Ukrainës, thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi në Tëitter, duke kërkuar një "vendim urgjent" nga GjND.

“Ukraina ka paraqitur kërkesën e saj kundër Rusisë në GjND. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për manipulimin e nocionit të gjenocidit për të justifikuar agresionin. Ne kërkojmë një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të ndërpresë aktivitetin ushtarak tani dhe presim që gjyqet të fillojnë javën e ardhshme”.

Ukraina akuzon gjithashtu Rusinë për "planifikimin e akteve të gjenocidit" në vend dhe thotë se Rusia po " vret qëllimisht dhe po shkakton lëndime serioze ndaj pjesëtarëve të komunitetit ukrainas", sipas njoftimit për shtyp.

FIFA ndalon himnin dhe flamurin rus, i zhvendos ndeshjet e Rusisë në shtëpi në vende neutrale
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino

FIFA i është përgjigjur pushtimit të Ukrainës duke i treguar Rusisë që t’i luajë ndeshjet në shtëpi në vende neutrale dhe duke e ndaluar flamurin kombëtar dhe himnin nga ndeshjet  e futbollit.

Organi udhëheqës i futbollit tha që ekipet ruse do të luajnë si “Unioni i Futbollit i Rusisë”, raporton Al Jazeera

Po ashtu tha që do të vazhdojë dialogun me organizatat e tjera të sportit të vendosin masa tjera “përfshirë përjashtimin potencial nga garat”.

UEFA më herët ia hoqi të drejtën Rusisë që ta organizojë finalen e Ligës së Kampionëve si dhe Polonia refuzoi të luajë kundër tyre në play-off pas sulmit në Ukrainë.

Franca u thotë qytetarëve të saj të largohen nga Rusia
Franca

Franca ka “rekomanduar fuqimisht” që çdo shtetas i saj aktualisht në Rusi të largohet “pa vonesë”.

Kjo vjen pasi Bashkimi Evropian njoftoi se po mbyllte të gjithë hapësirën e tij ajrore për avionët rusë.

Në një deklaratë në faqen e internetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet:

“Për shkak të kufizimeve në rritje në trafikun ajror midis Rusisë dhe Evropës, rekomandohet fuqimisht që francezët që kalojnë nëpër Rusi (turistët, vizitorët, studentët, profesionistët në mision ) të marrë masa për t’u larguar nga vendi pa vonesë me lidhje ajrore ekzistuese”, raporton BBC.

Ai gjithashtu këshilloi qytetarët që të shtyjnë çdo udhëtim të ardhshëm në Rusi.

Kryetari i Kievit: Mos besoni rrena, nuk kam thënë që s’kemi ku t’i evakuojmë civilët
Kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko

Jo shumë kohë më parë, ne raportuam se kryetari i bashkisë së Kievit i kishte thënë Associated Press se qyteti i tij ishte “rrethuar” nga forcat ruse, shkruan BBC.

Tani Vitali Klitschko thotë se nuk është kështu dhe se në fakt ajo është “dezinformatë”.

Ne një shkrim në Telegram, ai tha: “Publikimet ruse të internetit përhapin informacione duke mu referuar mua se Kievi dyshohet se është i rrethuar dhe evakuimi i njerëzve është i pamundur.

“Mos i besoni gënjeshtrave! Besojuni informacioneve vetëm nga burimet zyrtare”, tha ai.

Si gjithmonë, situata mbetet fluide.

Një shtetrrethim mbetet në fuqi në kryeqytet, me shumë banorë që po mbulohen në bodrume dhe stacione nëntokësore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton për dërgimin e çështjes së Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme
Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield

Këshilli i Sigurimit i OKB-së sapo votoi për dërgimin e çështjes së Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për një seancë të posaçme urgjente për shkak të bllokimit të anëtarëve të përhershëm në këshill.

Rusia vuri veton ndaj një rezolute të SHBA për të dënuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

“Ne i kërkojmë Rusisë të zbusë retorikën e saj,” tha ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, në lidhje me një njoftim për vendosjen e forcave në gatishmëri bërthamore.

Votimi ishte procedural, duke mos u kërcënuar nga një tjetër veto. 

Rezultatet ishin të ngjashme me votën e javës së kaluar, e cila bllokoi miratimin e një rezolute për shkak të vetos së Rusisë.

Franca ka paraqitur gjithashtu një rezolutë në lidhje me çështjet humanitare për shqyrtim të këshillit, shkruan CNN.

Ky është sesioni i parë special i urgjencës i OKB-së i Asamblesë së Përgjithshme që nga viti 1982 kur u mblodh një seancë speciale emergjente e OKB-së për të  trajtuar situatën  në zonën e territoreve arabe të pushtuara të Lartësive të Golanit. 

Bombardimet ruse të luftës në Ukrainë, lind një vajzë në strehën e sulmeve ajrore
Banesat pas shkatrrimit në Kiev

Organizata për fëmijë, UNICEF, ka bërë të ditur se një foshnje me emrin, Mia, ka lindur gjatë bombardimeve të Rusisë në Kiev të Ukrainës.

Nënat e saj, Svitlana, është zgjuar nga dhimbjen dhe së bashku me burrin e saj janë përballur me granatimet për të shkuar të makina e deri tek ambulance më e afërt.

“Gjatë lindjes dëgjova shpërthime jashtë dritares,” thotë ajo.

“Kam mbajtur dorën e burrit tim që të mos frikësohem aq shumë”.

UNICEF ka bërë të ditur se pasi Mia lindi, Svitlana kishte vetëm disa minuta për t’u veshur, për të paketuar gjërat dhe për të zbritur në bodrum për siguri.

“Prioriteti ishte shpëtimi i jetës së foshnjës”.

Svitlana thotë se aktualisht po i kalon netët e saj në një makinë në parkingun poshtë shtëpisë së saj.

Ndërsa familjet përballen me stresin e konfliktit dhe COVID-19, UNICEF po punon për të ofruar furnizime që shpëtojnë jetën.

Borrell: BE është e shqetësuar se kriza mund të përhapet edhe në vendet tjera
Josep Borrell, shefi i politikës së jashtë të Bashkimi Evropian

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtë të Bashkimi Evropian, ka thënë se BE-ja është e shqetësuar se kriza e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon,” tha Borrell në një konferencë për media në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën që po mbizotëron në Ukrainë.

“Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, tha Borrell.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se për herë të parë, si përgjigje ndaj kruzës në Ukrainë, se do të përdor fondet e saj për të ndihmuar ushtarakisht ukrainasit.

Turqia sinjalizon që mund t’ia bllokojë qasjen Rusisë në Detin e Zi
Turqia

Turqia ka thënë se do të zbatojë kushtet e një marrëveshjeje ndërkombëtare, që mund ta bëjë atë të bllokojë hyrjen në Detin e Zi për Marinën Ruse.

Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Turqia ka kontroll mbi dy ngushticat që lidhin Detin e Zi, i cili ndodhet në bregun jugor të Ukrainës, me Mesdheun, raporton BBC.

Konventa garanton kalimin e lirë të anijeve që i përkasin vendeve të Detit të Zi – si Rusia – në kohë paqeje, por i lejon Turqisë të mbyllë ngushticat për të gjitha luftanijet të huaja në kohë lufte ose nëse vetë Turqia kërcënohet.

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha më herët: “Kemi vendosur që situata në Ukrainë është kthyer në luftë. Ne do të zbatojmë në mënyrë transparente dispozitat e Montreaux.”

Turqia, e cila është një aleate e NATO-s, por është gjithashtu e varur nga Rusia për energji dhe turizëm, e kishte quajtur më parë sulmin e Rusisë të papranueshëm, por nuk e quajti situatën një luftë.

Zelensky: Belgjika po na dërgon 3000 mitralozë dhe 200 granatahedhës anti-tank
Belgjika

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkruar në Tëitter se përveç marrëveshjeve të djeshme, Belgjika po i dërgon Ukrainës edhe 3000 mitralozë dhe 200 granatahedhës anti-tank.

“Ishte bukur të mësoj se përveç marrëveshjeve të djeshme, Belgjika po na dërgon edhe 3000 mitralozë të tjerë dhe 200 granatahedhës antitank. Faleminderit Kyeministër Alexander De Croo!”, ka shkruar Zelensky.

Shumë shtete kanë shprehur gatishmërinë të ndihmojnë Ukrainën me armë pas sulmit rus që iu bë të mërkurën, sulm që të dielën hyri në ditën e katërt.

Shtëpia e Bardhë i përgjigjet vendimit të Rusisë për t’i vënë forcat bërthamore në gatishmëri të lartë
Shtëpia e Bardhë në Uashington

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i vënë forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, është pjesë e një modeli më të gjerë të përshkallëzimit të paprovokuar dhe “kërcënimeve të fabrikuara” nga Kremlini.

“Ky është realisht një model që e kemi parë nga Presidenti Putin gjatë rrjedhës së këtij konflikti, i cili po prodhon kërcënime për të arsyetuar agresionin e mëtejshëm – e komuniteti global dhe populli amerikan duhet ta shikojnë atë përmes këtij prizmi,” i tha Psaki gazetarit të ABC-së, George Stephanopoulos, raporton CNN.

Ajo shtoi: “Kjo është e gjitha një model i Presidentit Putin dhe do të ngitemi kundër, ne kemi aftësinë ta mbrojmë veten, por gjithashtu duhet të cekim çka po shohim nga Presidenti Putin”.

Kur u pyet për ndihmë të mëtejshme ushtarake ose për sanksione, Psaki tha se SHBA është e gatshme të dërgojë më shumë furnizime njerëzore, ekonomike, dhe ushtarake për mbrojtje, duke vënë në dukje njoftimet më të fundit të administratës për ndihmë që nga kur filloi konflikti.

“Unë do të theksoja se sanksionet që ne shpallëm dje e vendosin Rusinë në të njëjtin nivel me Iranin, duke i shkëputur ato nga një sistem bankar me komunitetin botëror”, tha Psaki.

Nën presion e pyetur nëse SHBA do të ndërmarrë veprime tjera më të shpejta kundër sektorit energjetik rus, Psaki tha se gjithçka është “në tryezë” dhe shtoi se administrata beson se konflikti aktual tregon se SHBA duhet të forcojë furnizimin e brendshëm me energji dhe ai duhet të zgjerohet përtej vajit dhe gazit.

Psaki shtoi se SHBA mbetet në kontakt të ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe e lavdëroi atë për udhëheqjen e tij gjatë ditëve të para të luftës.

“Ai po ngrihet me guxim kundër pushtimit të Presidentit Putin dhe udhëheqjes ruse,” tha Psaki. “Ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me të”

Kryebashkiaku i Kievit: Jemi të rrethuar, s’kemi ku t’i evakuojmë civilët
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko

KYIV, Ukrainë (AP) – Ndërsa trupat ruse po i afrohen kryeqytetit ukrainas, kryebashkiaku i Kievit është i mbushur me krenari për shpirtin e qytetarëve të tij dhe i shqetësuar për sa kohë mund të qëndrojnë.

Në një intervistë me Associated Press të dielën, pas një nate rraskapitëse të sulmeve ruse në periferi të qytetit, kryebashkiaku Vitali Klitschko heshti për disa sekonda kur u pyet nëse kishte plane për të evakuuar civilët nëse trupat ruse arrinin të merrnin Kievin.

“Ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse të gjitha rrugët janë të bllokuara,” tha ai në fund. “Për momentin ne jemi të rrethuar.”

Kur trupat ruse pushtuan Ukrainën të enjten, qyteti me 2.8 milionë banorë fillimisht reagoi me shqetësim, por edhe me një masë të vetë-posedimit.

Megjithatë, nervat filluan të prisheshin kur dyqanet ushqimore filluan të mbylleshin dhe sistemi i famshëm i metrosë së thellë të qytetit i ktheu stacionet e tij në strehë për bomba.

Klitschko konfirmoi se nëntë civilë në Kiev ishin vrarë deri më tani, duke përfshirë një fëmijë.

Një shtetrrethim i urdhëruar nga ai filloi rreth perëndimit të diellit të shtunën dhe do të zgjatet deri të paktën në orën 8 të mëngjesit të së hënës. Urdhri i tij thuhej qartë se çdo person i paautorizuar jashtë mund të konsiderohet si diversant.

“Ne po i gjuajmë këta njerëz dhe do të jetë shumë më e lehtë nëse askush nuk është në rrugë,” shpjegoi Klitschko, duke thënë se gjashtë “diversantë” rusë u vranë mbrëmjen e së shtunës.

Përparimi i trupave ruse në qytet ka qenë më i ngadalshëm nga sa prisnin shumë ekspertë ushtarakë.

“Sapo fola me presidentin (Volodymyr Zelenskyy). Të gjithë nuk po ndihen aq mirë,” tha Klitschko, duke shtuar se punonjësit e qeverisë së qytetit ukrainas ishin në shok, por jo në depresion. “Ne tregojmë karakterin tonë, njohuritë tona, vlerat tona.”

Në ditët e fundit, radhë të gjata njerëzish – burra dhe gra – u panë në pritje për të marrë armët në të gjithë kryeqytetin, pasi autoritetet vendosën të shpërndanin lirisht armët për këdo që ishte gati për të mbrojtur qytetin.

Megjithatë, ka shqetësime për armatosjen e civilëve me pak përvojë ushtarake mes paralajmërimeve për diversantë rusë të maskuar si policë e gazetarë ukrainas.

“Për të qenë i sinqertë, ne nuk kemi kontroll 100%,” tha Klitschko. “Ne e ndërtuam këtë mbrojtje territoriale në një kohë të shkurtër – por këta janë njerëz patriotë.”

“Tani për tani, çështja më e rëndësishme është mbrojtja e vendit tonë”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me kapacitetin e qytetit për të rimbushur rezervat e pakësuara të ushqimit dhe ilaçeve, pikëpamja e Klitscho-s u errësua megjithatë.

“Ne jemi në kufirin e një katastrofe humanitare,” tha ai. “Tani për tani kemi rrymë, tani kemi ujë dhe ngrohje në shtëpitë tona. Por infrastruktura është e shkatërruar për të ofruar ushqim dhe mjekim.”

Pastaj, në të njëjtën frymë, ai e mblodhi veten si kampioni botëror i boksit në peshat e rënda që ishte dikur.

“Kjo është arsyeja pse mesazhi për të gjithë është: Mbështetni Ukrainën së bashku … Ne jemi të fortë,” tha ai. “Çdo ukrainas është krenar që është i pavarur, krenar që është ukrainas dhe ne jemi krenarë që kemi vendin tonë”.

Të rejat e fundit nga lufta në Ukrainë

BBC shkruan se ka pasur më shumë sulme ajrore në Ukrainë.
Teka, zyrtarët thonë se raketat balistike ruse janë lëshuar nga vende të Bjellorusisë – fqinje.

Për herë të parë që kur nisën sulmet ruse, u dëgjuan paralajmërime për sulm ajror në qytetin lindor të Dnipro.

Kurse, sirenat kanë rënë edhe në kryeqytetin, Kiev.

e pas katër ditësh nënvlerësimi të humbjeve të saj, Rusia tani ka pranuar se ushtarët e saj janë vrarë në luftime, por ajo refuzoi të japë ndonjë numër.

Një zyrtar do të thoshte vetëm se shifra ishte më e ulët se ajo e – siç tha ai – nacionalistëve të shfarosur.

Shqip.com do ju mbajë të informuar rreth çdo informacioni të ri nga kjo luftë.

Ministrja shqiptare prezanton listën e plotë të sanksioneve ndaj Rusisë
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Olta Xhaçka, ministrja e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka bërë të ditur pasditen e të dielës për vendimet e qeverisë shqiptare, në kuadër të aleancës ndërkombëtare me Ukrainën kundër pushtimit rus.

“Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të BE kundër Rusisë. Po hartojmë bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave shtrënguese. Këto masa kanë karakter individual dhe ekonomik. Ne i bashkohemi sanksioneve të BE për ngrirje asetesh”.

Xhaçka ka bërë të ditur se masat do të për 654 individë dhe 52 subjekte.

“Ndalohet udhëtimi në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, diplomatë e zyrtarë. Sanksionet ekonomike: në financë, energji, transport dhe teknologji”.

Ajo po ashtu ka thënë se “nga sot, hapësira ajrore e Shqipërisë mbyllet për të gjithë operatorët ajrorë rusë. Shqipëria s’merr pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse, deri në fund të pushtimit”.

“Po punojmë për ofrimin e ndihmave materiale ushtarake dhe spitalore për Ukrainën. Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë të aleatëve e partnerëve tanë”, njoftoi Xhaçka.

Suedia do të dërgojë armë në Ukrainë
Suedia

Suedia ka njoftuar se do të dërgojë pajisje ushtarake dhe ndihma të tjera në Ukrainë.

Duke njoftuar masën, Kryeministrja, Magdalena Andersson, tha se do të ishte hera e parë që Suedia do të dërgonte armë në një vend në konflikt që nga pushtimi sovjetik i Finlandës në 1939.

Ajo tha se dërgesat do të përfshinin 5,000 lëshues antitank me përdorim të vetëm, 5,000 copë parzmore dhe 5,000 helmeta, si dhe 135,000 pako racioni.

“Përfundimi im është tani se siguria jonë shërbehet më së miri nga ne që mbështesim aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur kundër Rusisë,” tha Andersson, raporton BBC.

Kjo vjen pasi Bashkimi Evropian njoftoi se do të blinte armë dhe do t’i dorëzonte ato në Ukrainë, hera e parë në historinë e tij që ndërmerr një hap të tillë.

Raketat nga Bjellorusia godasin aeroportin, thotë zyrtari ukrainas
Raketat nga Bjellorusia

Këshilltari Anton Herashchenko i ministrit të brendshëm të Ukrainës ka thënë që raketa të lëshuara nga Bjellorusia kanë goditur një aeroport në qytetin e Zhytomyr, raporton BBC.

Ai në Facebook ka postuar një video dhe ka shkruar:

“Duhet të jemi të përgatitur edhe për pushtues bjellorusë.”

BBC më parë shkroi se i njëjti zyrtar kishte raportuar që raketa u lëshuan nga Bjellorusia në veri të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas dhe rusë do të takohen për bisedime në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, tha më herët zyra e presidentit Volodymyr Zelenskiy, pa e cekur kohën e takimit.

Presidenti ukrainas: Nuk pres shumë nga takimi i së hënës, por le të provojmë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në një deklaratë të shkurtër televizive se ai nuk pret shumë nga një takim midis delegacioneve ukrainase dhe ruse të hënën. 

“Do të them sinqerisht, si gjithmonë: nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të provojmë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë, si president, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelensky.

“Dhe ndërsa djemtë tanë janë atje, presidenti është këtu, shefi i shtabit është këtu, kryeministri është këtu, ushtria është këtu, komandanti i përgjithshëm është këtu. Të gjithë do të mbrojmë shtetin dhe kufijtë tanë”, shtoi ai, shkruan CNN.

Më herët të dielën, zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin, tha se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes sipas kohës lokale.

“Rreth 120 amerikanë janë larguar nga Ukraina në 24 orët e fundit”

Rreth 120 amerikanë janë larguar nga Ukraina dhe kanë hyrë në Poloni në 24 orët e fundit, u tha gazetarëve të dielën në mëngjes një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Këta individë “nuk kishin nevojë për ndihmën ushtarake të SHBA”, tha zyrtari. “Ata kishin tashmë planet e tyre. Ata tashmë kishin transport në dispozicion”, shtoi zyrtari, shkruan CNN.

SHBA është “në diskutime” me autoritetet polake se cilat mund të jenë nevojat e tyre dhe nëse kanë nevojë për burime ushtarake amerikane për të ndihmuar me rrjedhën e njerëzve përtej kufirit Ukrainë-Poloni, shtoi zyrtari.

Disa trupa ajrore të 82-të janë “të vendosura në disa zona grumbullimi më larg nga kufiri”, por ata nuk kanë parë “ndonjë “klientë” deri më sot,” tha zyrtari.

“Nëse ka nevojë për ndihmë shtesë ushtarake të SHBA-së, siç ka thënë sekretari, ne do të jemi të përgatitur dhe të trajnuar dhe të gatshëm për ta bërë këtë,” tha zyrtari. “Por deri më tani, amerikanët që kemi parë të kalojnë kufirin kanë qenë në gjendje të kujdesen mjaft mirë për veten”.

BE ndalon organet ruse të lajmeve Russia Today dhe Sputnik
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell

Bashkimi Evropian ka ndaluar mediat ruse të lajmeve Russia Today dhe Sputnik, sipas kryediplomatit të saj Josep Borrell.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Bruksel të dielën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njoftoi se blloku do të ndalonte të dy mediat në një përpjekje “për të luftuar” dezinformimin rus.

“Sot ne po ndërmarrim një hap vendimtar për të mbyllur rubinetin për manipulimin e informacionit të rusëve në Evropë, duke ndaluar transmetimin e Rusisë Sot dhe Sputnik në Bashkimin Evropian”, tha Borrell, shkruan CNN.

 “Ne po e vrasim gjarprin në qafë”, vazhdoi diplomati.

Bashkimi Evropian po mbyll hapësirën ajrore për Rusinë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen konfirmoi të dielën se Bashkimi Evropian po mbyll hapësirën ajrore të BE-së për Rusinë.

“Ne po propozojmë një ndalim të të gjithë avionëve në pronësi ruse, të regjistruara në Rusi dhe të kontrolluara nga Rusia. Këta avionë nuk do të jenë më në gjendje të ulen, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e Bashkimit Evropian. Kjo do të zbatohet për çdo aeroplan”, tha von der Leyen. 

“Hapësira jonë ajrore do të jetë e mbyllur për çdo avion rus. Dhe kjo përfshin edhe avionët privatë të oligarkëve”, tha ajo, raporton CNN.

Shumë vende evropiane kishin mbyllur tashmë hapësirën e tyre ajrore për linjat ajrore dhe avionët rusë që nga e diela, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Rusia “pranon humbjet” për herë të parë

Ministria e Mbrojtjes në Rusi – për herë të parë ka pranuar se ka viktima në Ukrainë, por nuk i janë dhënë shifra, shkruan BBC.

“Ka pasur të vrarë dhe të plagosur në mesin e ushtrisë ruse gjatë rrjedhës së operacionit ushtarak special”, tha ministria e mbrojtjes në Moskë, në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve TASS.

Në deklaratë po ashtu thuhet se “humbjet e pësuar nga forcat e armatosura ruse janë disa herë më pak se numri i nacionalistëve të shfarosur” .

Realitet paralel në televizionin shtetëror të Rusisë

Katër ditë pas sulmeve ruse në Ukrainë – televizioni i drejtuar nga Kremlini po u ofron shikuesve një realitet paralel, mbajtur linjën që forcat rebele nga lindja po përparojnë në Ukrainë me mbështetjen e forcave ruse që kryejnë “sulme precize” në infrastrukturën ushtarake ukrainase.

Mediave u kërkohet nga mbikëqyrësi i tyre – që të ndjekin narrativën zyrtare, kështu që shumica e kanaleve po i përmbahen serialeve televizive dhe shfaqjeve argëtuese, shkruan BBC.

Por “Channel One” ka drejtuar një shfaqje politike maratonë duke justifikuar veprimet e Rusisë.

“Ishte një vendim i vështirë, i keq, por krejtësisht i pashmangshëm pasi nuk kishte mbetur asgjë tjetër,” tha prezantuesi Anatoly Kuzichev.

Nuk përmendet asnjë viktimë si rezultat i sulmeve ajrore ruse, dhe çdo vdekje civile është e lidhur me ushtrinë e Ukrainës ose “nacionalistët”.

Mediat shtetërore e ndjekin linjën zyrtare se ushtarakët ukrainas po hedhin armët në masë, duke hedhur poshtë raportimet në mediat e pavarura për kapjen e ushtarëve rusë.

Disa media të pavarura si “Novaya Gazeta” dhe “Mediazona” e kanë quajtur sulmin ndaj Ukrainës një luftë dhe një pushtim në vend të termit të Kremlinit “operacion special ushtarak”, duke sfiduar hapur një paralajmërim nga mbikëqyrësi i medias.

Ata zakonisht kanë një audiencë shumë më të vogël se faqet e internetit kryesore të lajmeve dhe TV shtetëror, dhe mund të përballen me gjoba të mëdha apo edhe bllokime. /Shqip.com

Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për miliona refugjatë ukrainas, thotë komisioneri i BE-së
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha të dielën se BE-ja duhet të përgatitet për ardhjen e miliona refugjatëve ukrainas.

“Është shumë e vështirë të merret me mend se sa, por unë mendoj se ne duhet të jemi të përgatitur për miliona,” tha Johansson. 

Ajo shtoi se deri më tani “rreth 300,000 ukrainas kanë ardhur në vendet anëtare të BE-së”, raporton CNN.

Ministrat e Brendshëm nga e gjithë BE-ja po takohen në Bruksel për të diskutuar pasojat nga kriza në Ukrainë.

Johansson tha se ajo do të “linçojë një platformë solidariteti” për të koordinuar llojet e ndryshme të mbështetjes që do të kenë nevojë shtetet anëtare dhe “për ukrainasit që po ikin nga Ukraina”

Spanja do e mbyllë hapësirën ajrore për linjat ruse
Spanja

Spanja do e mbyllë hapësirën ajrore të saj për linjat ruse, sipas Ministrisë së Transportit të Spanjës.

Ministria e Transportit njoftoi për këtë lëvizje nëpërmjet Twitterit të dielën duke thënë që shteti do të “procedojë me mbylljen e hapësirës për linjat ruse” pas direktivave për bashkëpunim të BE-së, raporton CNN.

Spanja i është bashkuar një grupi të shteteve tjera që kanë mbyllur hapësirën ajrore të tyre për linjat ruse të vikend pas pushtimit rus të Ukrainës, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën, dhe Kanadanë.

“Shkatërrohet avioni luftarak më i madh në botë” – thotë ministri i Jashtëm i Ukrainës

Avioni më i madh në botë – Antonov An-225 – është shkatërruar në avancimin rus, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba – përmes një postimi në Twitter.

Avioni u projektua dhe u ndërtua gjatë viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik.

Ajo u ndërtua për të transportuar anije kozmike, por në vitet e fundit rrallë është ngjitur në qiell.

Haradinaj: Agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit.

Haradinaj ka thënë se fatkeqësisht ky agresion vazhdon nga Putini dhe aleatët e tij në shtetet tjera edhe me pozicionin e tij për armët bërthamore.

“Bota demokratike tashmë e di se agresorët si Millosheviqi dhe Putini janë kundër vlerave tona të përbashkëta dhe të njëjtit i humbin luftërat”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së, ka bërë të ditur, se vitin e kaluar ka theksuar se Kosova nuk mund të pres pafundësisht për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veriatlantike.

“Me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Sigurisë si dhe të procedohet në Kuvend, ligji për Fondin për Mbrojtje (donacionet për Ushtrinë e Kosovës)”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se të gjitha këto, krahas anëtarësimit tonë në NATO, do të krijojnë një realitet të ri të sigurisë në rajon dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Për këto arsye do të kërkoj debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend. Kjo situatë nuk duhet ta gjejë në gjumë qeverinë aktuale, por e njëjta duhet të angazhohet që këtë situatë ta shfrytëzojë sa më mirë, në dobi të Kosovës dhe qytetarëve”, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj./Shqip.com

Jans Stolenberg flet për “paralajmërimin bërthamor” të Putinit

Sekretari i Përgjithshëm, i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se urdhri i Presidenti rus, Vladimir Putin për ushtrinë ruse – për të vendosur forcat e saj bërthamore në një nivel më të lartë gatishmërie është “i rrezikshëm” dhe “i papërgjegjshëm”, shkruan BBC.

Kjo shton agresionin e liderit rus mbi Ukrainën, thotë Jens Stoltenberg.

“Sigurisht, kur kombinoni këtë retorikë me atë që ata po bëjnë në terren në Ukrainë – duke bërë luftë kundër një kombi të pavarur, sovran, duke kryer pushtim të plotë të Ukrainës – kjo shton seriozitetin e situatës”, tha ai për CNN.

Hapësira ajrore e Kanadasë është e mbyllur për të gjithë operatorët e avionëve rusë
Ministri i Kanadasë, Omar Alghabra

Hapësira ajrore e Kanadasë është e mbyllur për të gjithë operatorët e avionëve rusë menjëherë, sipas ministrit kanadez të Transportit, Omar Alghabra.

“Hynë në fuqi menjëherë mbyllja e hapësirave ajrore të Kanadasë për të gjithë operatorët e avionëve rusë. Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për sulmet e saj të paprovokuara kundër Ukrainës”,  tha Alghabra të dielën në mëngjes, raporton CNN.

Kanadaja i bashkohet një numri vendesh evropiane , duke përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Francën, që kanë njoftuar se do të mbyllin hapësirën e saj ajrore për avionët dhe linjat ajrore ruse në përgjigje të pushtimit të Ukrainës./Shqip.com

SHBA e quan “krejtësisht të papranueshme” lëvizjen bërthamore të Putinit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë përgjigjur urdhrit të Presidentit rus, Valdimir Putin për vendosjen e forcave bërthamore të Rusisë në një gjendje gatishmërie “të veçantë”, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, e quajti lëvizjen “të papranueshme” në një intervistë për CBS News.

“Kjo do të thotë se presidenti Putin po vazhdon të përshkallëzojë këtë luftë në një mënyrë që është krejtësisht e papranueshme dhe ne duhet të vazhdojmë t’i frenojmë veprimet e tij në mënyrën më të fortë të mundshme” tha ajo.

Lëvizja e bën më të lehtë lëshimin e armëve – por korrespondenti i sigurisë nga BBC, Gordon Corera tha se kjo ishte një mënyrë që Rusia t’i dërgonte një paralajmërim NATO-s, në vend që të sinjalizonte një qëllim për t’i përdorur ato.

Ministri Byrne: Sanksionet ndaj Rusisë, do të kenë ndikim shkatërrues mbi rusët dhe presidentin

Irlanda do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për të gjithë avionët rusë.

Kjo u konfirmua të dielën pasi avionët rusë u përballen me një ndalim pothuajse total të hapësirës ajrore në perëndim të vendit.

Aleatët perëndimorë kanë rënë dakord për një vendosje të konsiderueshëm të sanksioneve kundër Moskës.

Ministri irlandez për Çështjet Evropiane Thomas Byrne thotë se ato do të kenë një ndikim shkatërrues mbi rusët e zakonshëm si dhe presidentin.

SHBA, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord të bllokojnë bankat ruse të “zgjedhura” nga Swift, një sistem pagesash ndërkombëtare që përdoret nga mijëra institucione financiare, raporton BBC.

Byrne, tha për BBC, se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të pengohej nga asnjë sanksion në afat të shkurtër.

“Por ajo që është e qartë është se bota demokratike po punon së bashku dhe sanksionet e fundit do të kenë një efekt absolutisht shkatërrues në ekonominë ruse dhe burimet personale të Putinit në afat të mesëm”, tha ai.

“BE është një organizatë e paqes dhe demokracisë dhe një nga armët që ne kemi janë sanksionet, dhe ato sanksione do të kenë një efekt gjymtues në ekonominë ruse.”

Avionët në pronësi ruse, përfshirë avionët privatë, nuk mund të hyjnë më në hapësirën ajrore Britanisë së Madhe gjithashtu Finlanda, Danimarka dhe Austria do të mbyllin hapësirat ajrore për avionët rusë.

Putin urdhëron që forcat e parandalimit bërthamor të jenë në gatishmëri të lartë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka urdhëruar forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë të jenë në gatishmëri të lartë, shkruan “The Guardian”, përcjell Shqip.com.

Putin – e ka bërë këtë  në përgjigje të “deklaratave agresive” të vendeve të NATO-s.

Urdhri, i cili u njoftua nga agjencia e lajmeve TASS, erdhi në një takim midis Putinit, Ministrit të Bbrojtjes Sergei Shoigu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë Valery Gerasimov. /Shqip.com

Presidenti i Ukrainës pranon bisedimet me Rusinë në Bjellorusi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski ka pranuar bisedimet me Rusinë në kufirin Ukrainë-Bjellorusi.

Kështu ka deklaruar Zelensky pas një bisede të realizuar me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.

“Ne kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rusët pa kushte paraprake në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, në zonën e lumit Pripyat. Alexander Lukashenko mori përgjegjësinë për faktin se në momentin e nisjes, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren”, ka shkruar presidenti ukrainas në “Facebook”.

Gjatë ditës presidenti i Ukrainës kishte refuzuar ofertën e bisedimeve në Bjellorusi, duke thënë se bisedimet në Minsk do të kishin qenë të mundura nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Sot është dita e katërt e agresionit rus kundër Ukrainës.

Për sulmet kundër Ukrainës, Rusia po përdor edhe territorin e Bjellorusisë, një vend aleat i Rusisë.

“Nuk ka trupa ruse” në Kiev, thotë kryebashkiaku Klitschko

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha të dielën se nuk ka trupa ruse në kryeqytetin ukrainas.

“Ka pasur sulme gjatë natës. Shkatërruan disa grupe të mëdha sabotazhi”, ka postuar Klitschko në llogarinë e tij në Instagram.

“Ushtria jonë, forcat e zbatimit të ligjit dhe mbrojtja territoriale vazhdojnë të zbulojnë dhe neutralizojnë sabotatorët”.

Klitschko tha se nëntë civilë, përfshirë një fëmijë, janë vrarë në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus, si dhe 18 personel ushtarak dhe të mbrojtjes territoriale.

Ndërkaq, ai tha se për sigurinë e banorëve është vendosur shtetrrethim deri nesër në mëngjes.

Rusia i jep Ukrainës afat për vendimin për bisedimet në Bjellorusi
Vladimir Medinsky kreu delegacionit rus dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky

Rusia u ka dhënë zyrtarëve ukrainas një afat kohor prej orës 15:00, me orën lokale, të dielën për të vendosur nëse do të takohen për bisedime në qytetin bjellorus të Gomel.

Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus dhe ndihmës i Presidentit Vladimir Putin, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti se do të qëndrojnë deri në kohën e caktuar të presin për një përgjigje.

“Sapo të marrim këtë konfirmim, ne do të nisemi menjëherë për të takuar homologët tanë në negociata,” tha Medinsky. “Ne jemi për paqe.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se do të ishte i gatshëm të zhvillonte bisedime me Rusinë, por hodhi poshtë propozimin e tyre për një takim që do të mbahej në Bjellorusi.

Bjellorusia është një aleat i Rusisë dhe ka luajtur një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës. Trupat ruse pushtuan kufirin e Bjellorusisë me mbështetjen e qeverisë së Bjellorusisë, sipas zyrtarëve ukrainas, shkruan CNN.

Zelensky iu drejtua drejtpërdrejt Bjellorusisë në një fjalim të dielën, duke thënë se “veprimet agresive” nga territori bjellorusi nënkuptonin se nuk ishte e mundur të mbaheshin bisedime në vend.

Ndërkaq, Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha të dielën se ai ishte “duke pritur” që Ukraina të vinte në vend për negociata me Rusinë.

“Të gjithë janë në Gomel duke pritur. Nëse vijnë, atëherë do të ketë negociata,” u tha Lukashenko gazetarëve pas votimit në referendumin kushtetues në Minsk të dielën, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve bjelloruse Belta.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se një delegacion rus ka mbërritur tashmë në Bjellorusi për bisedime imagjinare me përfaqësuesit ukrainas, raportoi RIA Novosti të dielën.

Zelensky: Ukraina ka paraqitur kërkesën kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
Presidenti i Ukrainës - Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kjo kërkesë vjen pasi Zelensky tha se trupat trupat ruse kanë në shënjestrim civilët duke përfshirë fëmijë.

“Ukraina ka paraqitur kërkesën e saj kundër Rusisë në GJND. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për manipulimin e nocionit të gjenocidit për të justifikuar agresionin. Ne kërkojmë një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të ndërpresë aktivitetin ushtarak tani dhe presim që gjyqet të fillojnë javën e ardhshme”, ka shkruar Zelensky në “Twitter”.

Luftimet kanë shpërthyer në rrugët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, pasi forcat ruse hynë në qytet.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më parë se kishte në shënjestër vetëm infrastrukturën ushtarake.

 “Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nuk godasin qytete dhe qyteza, ato marrin të gjitha masat për të shpëtuar jetën e civilëve”.

Por Zelensky tha se Rusia ka gënjyer kur “thanë se nuk do të synonin popullsinë civile. Që në orët e para të pushtimit, trupat ruse kanë goditur infrastrukturën civile”, përfundoi presidenti ukrainas.

Ministri i jashtëm ukrainas: Së bashku e mposhtëm Hitlerin, ta mposhtim edhe Putinin

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, iu është përgjigjur thirrjes së Presidentit të Ukrainës, për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë.

Ai ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë Ukrainën.

“Të huajt që dëshirojnë të mbrojnë Ukrainën dhe rendin botëror si pjesë e Legjionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju ftoj të kontaktoni me misionet e huaja diplomatike të Ukrainës në vendet tuaja përkatëse.”, ka shkruar ai.

“Së bashku e mundëm Hitlerin dhe do ta mposhtim edhe Putinin.”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, të dielën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të botës që të bashkohen në luftë.

Dhe se të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen duhet të kontaktojnë zyrtarin e mbrojtjes të Ambasadës së Ukrainës në vendet e tyre.

Musk aktivizion Starlink në Ukrainë pasi pushtimi rus ua ndërpreu internetin
Themeluesi dhe kryeinxhinieri në SpaceX, Elon Musk

Themeluesi i SpaceX, Elon Musk ka aktivizuar Starlink, rrjetin e tij komercial të internetit, në Ukrainë.

Kjo erdhi pas bashkëbisedimeve mes zëvendëskryeministrit të Ukrainës, Mykhailo Fedorov dhe Musk në Tëitter

“Ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin – Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën! Ndërsa raketat tuaja zbresin me sukses nga hapësira – raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas! Ne ju kërkojmë për ta pajisur Ukrainën me stacione Starlink dhe për t’iu drejtuar rusëve të arsyeshëm që të qëndrojnë”, ka shkruar Fedorov, raporton Reuters, transmeton Shqip.com.

“Shërbimi Starlink është tani aktiv në Ukrainë. Më shumë të tjera janë në ardhje” iu përgjigj Musk në Twitter.

Bashkëbisedimi në Twitter – Mykhailo Fedorov dhe Elon Musk

SpaceX i Musk ka mijëra satelitë Starlink në orbitë, të cilët i lejojnë kompanisë të transmetojë shërbime me brez të gjerë rreth Tokës, pa pasur nevojë për kabllo me fibra optike.

Lidhja e internetit në Ukrainë është prekur nga pushtimi rus, veçanërisht në pjesët jugore dhe lindore të vendit ku luftimet kanë qenë më të ashpra, thanë monitoruesit e internetit.

Musk, më 15 janar kishte deklaruar se SpaceX kishte 1,469 satelitë Starlink aktivë dhe 272 do të lëviznin në orbitat operacionale së shpejti.

Finlanda dhe Irlanda bllokojnë fluturimet ruse

Finlanda dhe Irlanda kanë njoftuar se do të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë.

Nuk dihet ende se kur do të hyjnë në fuqi masat.

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash (800 milje) me Rusinë, që do të thotë se një rrugë kryesore për në perëndim nga Rusia do të mbyllet, shkruan BBC.

Vende të tjera si Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe kanë marrë tashmë vendime të ngjashme.

Moska, nga ana e saj, ka ndaluar gjithashtu avionët nga disa vende të fluturojnë mbi territorin e saj.

Zelensky u bën thirrje “qytetarëve të botës” që të bashkohen në luftën kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bën thirrje njerëzve në mbarë botën që t’i bashkohen luftës kundër Rusisë.

Në një deklaratë të dielën, ai akuzoi ushtrinë ruse për vrasjen e civilëve dhe lavdëroi ukrainasit për guximin për t’u mbrojtur.

“Ukrainasit kanë shfaqur guximin për të mbrojtur atdheun e tyre dhe për të shpëtuar Evropën dhe vlerat e saj nga një sulm rus. Ky nuk është vetëm pushtimi i Rusisë në Ukrainë. Ky është fillimi i një lufte kundër Evropës, kundër strukturave evropiane, kundër demokracisë, kundër njeriut bazë. të drejtat, kundër një rendi global ligjor, rregullave dhe bashkëjetesës paqësore”, tha Zelensky, shkruan CNN.

Duke iu drejtuar “të gjithë qytetarëve të botës, miqve të Ukrainës, paqes dhe demokracisë”, Zelensky tha: “Kushdo që dëshiron të bashkohet me mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve rusë të luftës. .”

Deklarata shtoi se ata që dëshirojnë të bashkohen duhet të kontaktojnë zyrtarin e mbrojtjes të Ambasadës së Ukrainës në vendet e tyre.

Dita e katërt e luftimeve: Presidenti ukrainas refuzon që të bisedojë me Rusinë në Bjellorusi

Delegacioni rus ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime të mundshme për luftën në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov, tha se një delegacion rus ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me përfaqësuesit ukrainas, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA-Novosti.

Peskov tha se delegacioni përfshinte përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera, përfshirë administratën presidenciale, raportoi RIA.

"Ne do të jemi gati për të filluar këto negociata në Gomel [Homiel]," tha Peskov, sipas RIA, raporton CNN.

Ndërkaq, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka refuzuar ofertën e bisedimeve në Bjellorusi, duke thënë se bisedimet në Minsk do të kishin qenë të mundura nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Mirëpo, Zelensky, i ka lënë dyert e hapura për negociata në vende tjera.

“Po të mos kishte pasur veprime agresive nga territori i juaj, ne do të vinim të flisnim në Minsk...qytetet tjera mund të përdoren si vende për bisedime. Sigurisht se ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të mbarojë. Varshava, Bratislava, Budapesti, Stambolli, Baku – i kemi ofruar këto qytete për rusët", tha Zelensky raporton BBC.

Mirëpo, Zelensky, i ka lënë dyert e hapura për negociata në vende tjera.

"Çdo qytet tjetër do të na përshtatej po ashtu – në një vend, nga territori i të cilës nuk janë hedhur raketa në drejtim nesh. Kjo është mënyra e vetme për të negociuar në mënyrë të ndershme dhe t’i japim vërtetë fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Të gjitha lajmet nga dita e tretë e luftimeve mund t’i lexoni në këtë link.

Luftimet shpërthyen edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës

Trupat ruse hynë edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, atë të Kharkiv, ka njoftuar të dielën Oleh Synehubov, kreu i Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv.

Synehubov u bëri thirrje banorëve të qytetit lindor të qëndrojnë në strehimore dhe të mos udhëtojnë askund. Automjetet ruse hynë në qytetin e Kharkiv të dielën.

“Mjetet e armikut rus avancuan në qytetin e Kharkiv. Përfshirë pjesën qendrore të qytetit. Paralajmërim! Mos i lini strehimoret tuaja!” Guvernatori Synyehubov tha në një postim në Facebook të dielën.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës po eliminojnë armikun. Civilëve u kërkohet të mos dalin në rrugë.”

Kharkiv, me një popullsi prej rreth 1.4 milion njerëz, ndodhet më pak se 20 milje (32 kilometra) në jug të kufirit rus dhe iu afrua nga forcat ruse menjëherë pasi pushtimi filloi të enjten.

Forcat ukrainase kanë arritur të pengojnë trupat ruse nga hyrja në qytet për tre ditët e fundit, por Synehubov tha se kjo tani ka ndryshuar, me luftimet që po zhvillohen në zemër të qytetit.

Franca do të dërgojë karburant dhe pajisje mbrojtëse në Ukrainë

Franca do të dërgojë furnizime me karburant në Ukrainë së bashku me pajisje mbrojtëse për të mbështetur rezistencën e vendit ndaj pushtimit rus, thuhet në në një deklaratë nga Presidenca e Francës.

Deklarata nuk dha detaje të mëtejshme mbi pajisjet mbrojtëse, por një burim i Elysée u tha gazetarëve të shtunën se kjo mund të përfshijë armë antitank.

Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes ra dakord gjithashtu të ngrijë asetet financiare të rusëve të shenjëstruar nga sanksionet dhe njoftoi masa për të “luftuar propagandën nga ndikuesit dhe mediat ruse në tokën evropiane”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN.

Nuk u dhanë detaje për këto masa.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi një “forcim të sanksioneve ekonomike dhe financiare” në përputhje me Bashkimin Evropian dhe SHBA.

Më shumë se 150 mijë refugjatë janë larguar nga Ukraina brenda katër ditëve
Refugjatët nga Ukraina hyjnë në Przemysl, Poloni, pasi kaluan kufirin

Komisioneri i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi tha të shtunën se më shumë se 150,000 njerëz janë detyruar të largohen nga dhuna ruse në Ukrainë.

“Më shumë se 150,000 refugjatë ukrainas kanë kaluar tani në vendet fqinje, gjysma e tyre në Poloni dhe shumë në Hungari, Moldavi, Rumani dhe më gjerë,” ka shkruar ai në “Twitter”, raporton CNN, transmeton Shqip.com.

“Zhvendosja në Ukrainë po rritet gjithashtu, por situata ushtarake e bën të vështirë vlerësimin e numrave dhe dhënien e ndihmës”, vijon më tej shkrimi.

Polonia do të sigurojë tren për transportin e të plagosurve nga Ukraina

Polonia ka njoftuar se do të sigurojë transportin e të plagosurve nga Ukrania.

Polonia do të sigurojë tren për të transportuar të plagosurit.

Treni do të jetë special për transportimin e tyre në spitale të ndryshme në Varshavë.https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1

“Polonia nuk harron ndihmën për Ukrainën. Ne po nisim një tren për të plagosurit që pësuan si rezultat i operacioneve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës,” tha në një postim në Twitter Stanisłaë Żaryn, zëdhënës i ministrit të koordinatorit të shërbimeve speciale.

Ndërkaq, deri tani më shumë se 150,000 refugjatë janë larguar nga Ukraina, gjysma e tyre në Poloni dhe shumë në Hungari, Moldavi, Rumani dhe më gjerë.

Të gjitha lajmet nga dita e tretë e luftimeve mund t’i ndiqni në këtë link.