Sport Shqiptar

Distria Krasniqi kalon në gjysmëfinale në Paris 

Foto: Harry How/Getty Images)

Distria Krasniqi ka kaluar në gjysmëfinale në Grand Slamin e Parisit në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në raundin e dytë ajo ka mposhtur xhudisten Anais Mosdier nga Franca, ndërsa në çerekfinale britaniken Chelsie Giles, e cila fitoi njërën nga medaljet e bronzta në Lojërat Olimpikë Tokio 2020.

Distria në gjysmëfinale do të përballet me zvicranen Fabienne Kocher, e cila në Kampionatin Botëror të Xhudos 2021 po ashtu fitoi njërën nga të bronztat.

Në Grand Slamin e Parisit përveç kampiones olimpike të Tokio 2020 po marrin pjesë edhe katër garues nga Kosova: Flaka Loxha (deri 57kg), Laura Fazliu (deri 63kg) si dhe Akil Gjakova (deri 73kg).

Distria përpos që i solli medaljen e dytë të artë nga Lojërat Olimpike Tokio 2020 vitin e kaluar, ajo po ashtu nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos u shpall xhudistja e vitit për vitin 2021 e këtë vit e filloi me medaljen e artë në Grand Prixin e Portugalisë./SHQIP.com