Disa protestues gjuajnë me vezë Lulzim Bashën (VIDEO)

Disa protestues e kanë gjuajtur me vezë, të martën kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përcjell Shqip.com.
Në momentin kur kryedemokrati arriti për një takim në një lokal në Tiranë, ai u sulmua me vezë nga disa protestues të cilët bënin thirrje “Basha ik!”.
Ndërkaq, raportohet se mes protestuesve ishin të rinj dhe gra, që protestuan më 8 janar para selisë së PD-së.
Kurse, zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Floriana Garo, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se “çfarë mbjell, do të korrësh”.
“Lulzim Brava do të pritet gjithnjë me protesta nga demokratët, të cilët i dhunoi e i helmoi me gaz vetëm se donin të hynin në shtëpinë e tyre”, shkroi ajo teksa postoi pamjet nga kjo protestë.
Ndryshe, më 8 janar, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, kishte thirrur një protestë para selisë së kësaj partie.
Arsyeja e thirrjes së kësaj proteste ishte kërkesa për shkarkimin e Bashës nga pozita e kreut të PD-së.
Kjo protestë ishte shoqëruar më dhunë, ku mbështetësit e Berishës kishin thyer disa nga dyert e selisë, por që me ndërhyrjen e Policisë, ata u shpërndanë./SHQIP.com