Lajme

Diplomati slloven Frangesh: Koha për marrëveshje Kosovë-Serbi është e kufizuar

Diplomati slloven, Anzhej Frangesh, u bë i dërguari special i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit 2022, në një kohë kur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës karakterizohen nga tensioni i lartë për targat nga njëra anë, por edhe nga një debat intensiv për një marrëveshje të mundshme historike për marrëdhëniet e ndërsjella.

“Kur diçka rezulton e mundur, tensionet rriten”.

“Shpresoj që shkaku i nervozizmit rreth Kosovës të jetë afërsia e mundësisë së përparimit në dialog, e jo se diçka po ndodh realisht me targat apo të ngjashme”, thotë Frangeshi në një intervistë për BBC në serbisht, transmeton Klankosova.tv.

Propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i panjohur për opinionin, pas të cilit qëndronte Bashkimi Evropian (BE), për Frangeshin vjen në një kohë të rrethanave të mira.

“Jemi në një situatë ku ndoshta për herë të parë që nga fillimi i dialogut, kemi liderë nga të dyja palët, të cilët janë mjaft të fortë në mjediset e tyre dhe mes votuesve që të mund të marrin dhe zbatojnë vendime të vështira”.

“Gjithashtu, në një vit e gjysmë apo dy të ardhshëm nuk është e nevojshme të ketë zgjedhje dhe vendet më të mëdha evropiane dhe perëndimore kanë qeveri të qëndrueshme”, shprehet ai.

Anzhej Frangesh është një diplomat slloven shumëvjeçar, i cili në poste të ndryshme merrej me marrëdhëniet ballkanike, kryesisht ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sot, ai është një nga përfaqësuesit specialë për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Miroslav Lajçakun (BE), Gabriel Escobarin (Shtetet e Bashkuara), Manuel Zarrazinin (Gjermani), dyshen gjermano-franceze Jens Plettnerin e Emmanuel Bonnen, dhe Stuart Peachin (Britania e Madhe).

/Shqip.com