Sport Shqiptar

“Dilema për formacionin”/ Silvinho dhe Gjimshiti në konferencë: Përgjegjësi të përfaqësojmë të gjithë shqiptarët

Të shtunën (nesër) në orën 21:00 në Dortmund luhet Itali – Shqipëri, ndeshja e vlefshme për Grupin B të finaleve të Euro 2024. Gjithë vëmendja është në “Iduna Park”, me impiantin që pritet të ketë afro 50 mijë shqiptarë.

Në prag të ndeshjes ka folur edhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe trajneri Sylvinho. Në ambientet e “Iduna Park” interesi nga gazetarët ka qenë i madh për intervistën e kuqezinjve, që pas Francë 2016 marrin pjesë për herë të dytë në finalet e një Europiani.

Trajneri Sylvinho ndjen përgjegjësi, duke u ndjerë si një shqiptar. Pas stërvitjes së sotme e cila nis në 18:30, trajneri do ketë një ide më të qartë për formacionin, teksa ka 2-3 dilema.

“Jam shumë i gëzuar që jam këtu, është një nder i madh që jemi me Shqipërinë në Euro 2024. Kapiteni ynë nuk ishte në 2016 në Francë, por Gjimshiti do jetë këtu këtë vit dhe është një model.

Jemi në një grup shumë të vështirë, të vetëdijshëm se kë kemi përballë, por do garojmë për çdo pikë dhe të kemi një përvojë të madhe. Kundër Italisë do jetë një ndeshje e vështirë, pas kësaj stërvitje të fundit do vendos për 2-3 emra, sepse e kam në mendje formacionin.

Kemi shumë shqiptarë në botë, në Gjermani, Zvicër dhe gjithandej. Përgjegjësi e madhe për ne të përfaqsojmë këtë njerëz të mrekullueshëm anembanë botës. Stadiumi do jetë me ngjyrat kuqezi dhe na shton përgjegjësinë.

Keni qenë ndihmës i Mancinit – E njoh prej 20 vitesh, ka fituar Euro 2020 dhe Italia është një nga skuadrat e nivelit më të lartë me cilësi të lartë. Spalleti ka bërë një punë të madhe. Italia kur del në fushë vendos për trofeun, por ne do bëjmë më të mirën dhe do marrim pikë.

Kur u vendos që do ishim në Euro 2024, edhe pas gjashtë muajve kemi të njëjtin emocion. Djemtë janë gati dhe duam të përfaqësojmë mirë vendin tonë. Është dita me më shumë emocione.

Si e prisni Italinë dhe kush luan në portë te ju? Është pikëpyetje e madhe për ju dhe për ne. Italia mund të përshtatet në disa skema, nga 4-3-3, në 3-5-2 dhe skema të tjera. Janë të fuqishëm dhe Italia mbrohet mirë, topin e qarkullojnë mirë dhe vrapojnë shumë. Ne ende kemi edhe një stërvitje, ende nuk e kam vendosur se kush luan”, tha Sylvinho.

Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares tha se ndeshja e parë do jetë deçizive.

Ndeshja me Italinë vendos fatet? Janë të treja shumë të rëndësishme, por nëse fillon me këmbën e mbarë të jep vetbesim dhe mund të ndryshojnë gjërat në grupe.

Dueli me Skamakën? E njoh mirë, e kam një vit në stërvitje. Nuk kam folur pas fitores në Europa League. Rëndësi nuk kemi ne, por ndeshja Itali – Shqipëri.

Rivalët? Jemi përgatitur, kemi ndjekur ndeshjet e tyre miqësore. Dimë forcën e tyre dhe ku duhet të kemi kujdes. Nesër do jemi gati.

Eksperiencë nga Serie A në Kombëtare – Mendoj se eksperienca vlen shumë, edhe trajneri ka një përvojë në Itali si shumë lojtarë që kemi. Të ndihmon se di me kë luan dhe kë ke përballë. Italia luan gjithmonë për trofe dhe duhet të jemi të kujdesshëm se e dimë kë kemi para.

Vini nga një familje që kemi emigruar – Jemi të gjithë shqiptarë, vijmë nga një vend dhe kemi tradita. Nuk e harrojmë origjinën.

Sylvinho – Ka sjellë hare dhe ka bërë një punë të madhe, mund të na motivojë shumë. Ka qenë një lojtar i mrekullueshëm dhe ka një kontribut të madh, ku ne kaluam në një grup të vështirë”, tha Gjimshiti

/Shqip.com