Dhunohet drejtuesi i portalit në Tiranë, Unioni i Gazetarëve: Autorët të vihen para drejtësisë!

Në orët e pasdites së të martës, gazetari dhe drejtuesi i portalit Pamfleti, Gjergj Zefi është dhunuar me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë. Zefi mësohet se ka marrë lëndime në trup dhe ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve. Policia ka identifikuar personin dhe bëhet fjalë për shtetasin Renato Bodurri nga Elbasani.
Motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta.
Ndërkohë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar dhunën ndaj gazetarit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, UGSH u bën thirrje autoriteteve të vendosin para drejtësisë autorët.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Gjergj Zefi, mbasditen e së martës më 3 Tetor 2023, në një ndër rrugët e Tiranës. Goditjet fizike me mjete të forta mbi gazetarin, lëndimet e tij, përbëjnë një akt të rëndë.
UGSH u bën thirrje autoriteteve të shtetit, të gjejnë menjëherë autorin dhe ta çojnë para drejtësisë. Dhuna fizike ndaj gazetarëve është një akt i papranueshëm në një shoqëri normale. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, kërkon ndaj institucioneve dhe autoriteteve të vendit, që të parandalojnë dhe të mos përkrahin klimën e kërcënimit ndaj reporterëve dhe redaktorëve të mediave.
Sa më e lirë të jetë një media, aq e lirë është shoqëria. Dhuna e kërcënimi ndaj lirisë së fjalës është këmbanë alarmi për të gjithë qytetarët, ndërsa agresioni fizik mbi punonjësit e mediave është krim i rëndë dhe me pasoja për krejt shoqërinë”, thuhet në reagimin e UGSH.
/Shqip.com